Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale pas rastit të abuzimit të 15-vjeçares nga një 65-vjeçar.

“Jam zemërthyer për secilin rast të ngacmimit apo abuzimit seksual me të mitur, të cilin nuk kemi arritur ta parandalojmë”, shkruan ajo.

Sipas ministres për secilin rast të zbuluar apo denoncuar janë marrë menjëherë masa. Përveç kësaj, edhe organet e drejtësisë sipas Shahinit kanë ndjekur penalisht secilin nga rastet e denoncuara.

“Pra, NUK ka “kulturë mosndëshkueshmërie” në Shqipëri ndaj rasteve të abuzimit seksual, siç ishin shprehur disa OJF. Kur rastet denoncohen, personat përgjegjës ndëshkohen menjëherë”.

Sipas Shahinit, në vendin tonë ka kulturë fshehje dhe mosraportimi të këtyre rasteve. Prandaj ajo thotë se ministria ka synim që ta ndryshojë këtë realitet në hapësirat ku do duhej që fëmijët të ishin më të sigurt.

“Shpesh viktimat nuk denoncojnë dhunën që kanë përjetuar, sepse ndihen me faj apo me turp për atë që u ka ndodhur. por, faji dhe turpi i takojnë abuzuesit”, shkruan ministrja.

Shahini thotë se abuzimi seksual dhe ngacmimet nuk zgjidhen vetëm me Kod Penal, por duhet të ndryshojë gjithë kultura dhe mënyra si shoqëria trajton gratë e vajzat. Madje, ministrja thotë se edhe mediat luajnë një rol të rëndësishëm.

“Do të dëshiroja shumë që media të raportonte në mënyrë të drejtë rastet e abuzimit seksual. Ajo që kam parë deri tani ka qenë një tmerr i vërtetë. Përshkrim detajesh identifikuese të viktimave dhe fajësim indirekt i viktimave. Tmerr! Por, është ky raportim, që është reflektim i kulturës së përgjithshme të trajtimit të kësaj teme të ndjeshme, që na bën të kuptojmë se sa shumë punë kemi për t’u shndërruar në një shoqëri më të mirë, për gratë, për grupet e brishta dhe për fëmijët tanë”, tha ministrja.

Në lidhje me përdhunimin e të miturës janë lënë në burg katër persona. Roja i shkollës, 65-vjeçari Abaz Dogu, i cili akuzohet se e ka abuzuar seksualisht 15-vjeçaren me publikimin e videove intime, 20-vjeçari Klajdi Poçi, si dhe dy të rinj të tjerë. 

Ndërkohë këtë të mërkurë u pezullua nga detyra, Besnik Daci, drejtori i shkollës 9-vjeçare “Azem Hajdari”, ku mësonte 15-vjeçarja e abuzuar në Babrru. 

/tvklan.al