I ftohti siberian ka sjellë dëborë dhe temperatura të acarta deri në Europën Jugore. Dëbora zbardhi Prishtinën ku arriti një trashësi deri në 3 centimetra, duke shkaktuar jo pak probleme në qarkullimin rrugor.

Të shumta janë aksidentet e shkaktuara nga ngricat në rrugë, siç është edhe ky që shihni në këtë foto të publikuar në mediat kosovare, ku shfaqet një veturë e shkatërruar krejtësisht pasi u përplas nga një autobus në Pejë, por ku nuk pati të lënduar.  

Një tjetër aksident u regjistrua pranë Kaçanikut, në Ferizaj, ku një automjet u përmbys, fatmirësisht pa pasoja në njerëz.

Tre persona humbën jetën dhe tre të tjerë u plagosën në Novi Pazar të Serbisë, ku u përfshinë një autobus dhe një veturë. Rastet e aksidenteve rrugore nga ngricat nuk kanë qenë të pakta.

Këto pamje vijnë nga Koloseu në Romë, ku dëbora ka mbuluar krejtësisht edhe sheshet kryesore.

Në sheshin “Shën Pjetër” trashësia e dëborës arriti deri 5 cm. Kryeqyteti italian është zhytur në kaos, me rrugë të bllokuara nga ngricat dhe pemë të thyera nga stuhia. Probleme edhe në trafikun hekurudhor e atë ajror, duke krijuar një gjendje të jashtëzakonshme.

Temperaturat arrijnë deri -15 gradë Celsius. Autoritetet italiane urdhëruar mbylljen e shkollave deri në përmirësimin e situatës.

Dëbora ka pushtuar edhe Gjermaninë, Francën, e Britaninë e Madhe.

Tv Klan