E para që foli në këtë nisje të fushatës për PD-në ishte shkrimtarja e njohur Flutura Açka. Ajo u shpreh se zgjedhjet e 25 Prillit janë zgjedhje që ndreqin demokracinë. Açka mes emocioneve tha se në këtë fushatë, bashkë me të lufton edhe djali i saj i cili ka humbur jetën, me qëllimin, sipas saj, për ta parë Shqipërinë në Europë.

“Unë nuk di të mbaj fjalime politike, por di të flas me zemër. Si njeri i mësuar me dekada me vesin e bukur të vetmisë, edhe pse jam njeri i fjalës dhe i stërvitur me lojën e saj, nuk e ndaj emocionin kur flas për gjëra shumë të dashura. M’u deshën vetëm pak çaste të vendosja. Vendosa mos të isha indiferente në kohë kaq të turbullta, duke pranuar kandidaturën për deputete në Elbasan ju më shtytë të njoh një botë mrekullitëse, aq njerëzore që më ka bërë aq të ndjeshme sa Zoti më ka bekuar me magjinë e fjalës.

Do t’ia dalim t’i kthejmë, vetëm duke ndrequr demokracinë. Ose të ndreqim demokracinë tonë, ose të shkojmë në diktaturë. Të fillojmë ta ndreqim që sonte demokracinë.

Bashkë me mua lufton edhe im bir, ëndrra e pakryer e të cilit për ta parë Shqipërinë në Europë është pjesë e betejës sime. Prandaj kundërshtarit tim i duhet të përballet me dy qenie të drejta”, tha Açka./tvklan.al