Rinumërimi i votave në zgjedhjet bashkiake në Nju Jork ka nxjerrë përsëri fitues demokratin Eric Adams, aktualisht President i lagjes Bruklin të këtij qyteti.

Deklarimi i rezultatit paraprak pason një ditë shumë konfuzuese të martën, kur u deklarua një shifër e pasaktë e pjesëmarrësve në votime.

Për herë të parë Nju Jorku po zbaton sistemin e renditjes në zgjedhje, ku votuesi shënon kandidatin më të preferuar dhe me radhë të tjerët. Por të martën Bordi Zgjedhor i qytetit publikoi shifra të gabuara paraprake dhe i tërhoqi disa orë më pas.

Bordi Zgjedhor kërkoi ndjesë për gabimin, kur aksidentalisht përfshiu në numërim 130,000 vota jo-ekzistuese pasi numëroi imazhe të votave elektronike që përdoren për të testuar sistemin e votimit elektronik. Rezultatet e rishikuara të mërkurën dolën me 17,000 vota më shumë se sa votat e hedhura në ditën e zgjedhjeve, por sipas zyrtarëve kjo ndodhi pasi në ditën e zgjedhjeve nuk ishin numëruar të gjitha zonat zgjedhore.

Bordi Zgjedhor këmbëngul se shifrat e reja ishin të sakta dhe se kishte bërë disa kontrolle para se të nxirrte publikisht rezultatin.

Por kritikët thonë se problemi ka treguar se Bordi Zgjedhur nuk është i aftë për të menaxhuar sistemin e ri zgjedhor me renditjen e kandidatëve të preferuar.

Shifrat e rishikuara, të publikuara të mërkurën tregonin zotin Adams, ish-kapiten policie dhe senator në legjislaturën shtetërore, në krye të garës, me një diferencë prej 14,755 votash nga ish-komisionerja e shërbimeve sanitare Kathryn Garcia. Juristja e të drejtave civile Maya Wiley ishte në vend të tretë, por thuajse barazim me zonjën Garcia, me një diferencë prej vetëm 347 votash.

Edhe shifrat e rishikuara nuk ofrojnë një panoramë të plotë të garës. Afro 125,000 vota në mungesë nuk janë numëruar ende. Zonja Garcia dhe pretendentja tjetër, Wiley, mund të barazojnë zotin Adams nëse votat në mungesë anojnë në favor të tyre. Rezultatet përfundimtare nuk priten edhe për disa javë.

Megjithëse epërsia e tij është ngushtuar pas rishikimit të numrave, fushata e zotit Adams shprehu bindjen se ai do të jetë “zgjedhja finale e nju-jorkezëve”./VOA