Janë të rralla rastet kur motër e vëlla bëjnë të njëjtin profesion dhe ata të dy duket se ia kanë dalë me sukses. Përveçse jetojnë në një shtëpi, ata ndajnë bashkë edhe skenën.

Fjala është për Adela dhe Anxhelo Muçollarin, balerinë në Teatrin Kombëtar të Operas Baletit. Ata ishin sot të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ku folën për profesionin e përbashkët dhe marrëdhënien motër e vëlla.

“Të jesh balerin duhet të kesh shumë rregulla në shumë gjëra, duke filluar nga mënyra se si e trajton ditën, mënyra se si ushqehesh etj, etj. Duhet të kesh linja perfekte, trinë këmbe të veçantë, hapje shumë të mirë dhe posturë shumë të mirë. Anxhelo është supertalent dhe besoj do të ketë rrugë shumë të gjatë. Ne jemi kritikët më të mirë të njeri-tjetrit, unë e shikoj me syrin se çfarë duhet të ketë perfekt në skenë dhe kjo na ndihmon të rritemi të dy profesionalisht”,

tha Adela.

Ndërkohë Anxhelo tregoi se ambicia e tij për baletin nisi teksa shihte motrën e tij, e cila përmes profesionit udhëtonte jashtë vendit.

“Duke parë Adelën filloi ambicja minimale. Adela kishte shumë shfaqje jashtë shtetit dhe që i vogël doja të isha si ajo. Hap pas hapi fillova shkollën e baletit, ambicia dhe dëshira u rritën dhe jemi këtu ku jemi sot. Herë pas here ne kërcejmë bashkë, por kombinohemi edhe me partnerë të tjerë. Adela është në pjesën më të madhe të ditës me mua, është gjysma ime dhe një nga personat më të rëndësishëm. Mendoj se jam me fat që e kam, e vlerësoj që Adela ka Anxhelon gjithmonë të parin dhe ndihem i llastuar”,

tha Anxhelo.

/tvklan.al