Parlamenti shqiptar do të vazhdojë të mbështesë të drejtën e shqiptarëve të Kosovës për vetëvendosje. Këtë qëndrim ka shprehur kryeparlamentari Gjinushi në takimin me udhëheqësin politik të UÇK-së, Adem Demaçi. Në këtë takim ishte edhe kryetari i Aleancës Demokratike, Neritan Ceka.

Gjinushi e ka njohur Demaçin me rezolutën e fundit të Parlamentit Shqiptar për Kosovën, në të cilën këkohet unifikimi i qëndrimeve të udhëheqësve kosovarë dhe ndërhyrja ushtarake e NATO-s për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb.

Kryeparlamentari Gjinushi ka vlerësuar qëndresën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se do të jenë vetë shqiptarët e Kosovës që do të vendosin për fatin e tyre duke patur mbështetjen e Shqipërisë dhe faktorit ndërkombëtar.

Demaçi u shpreh se diferenca ndërmjet udhëheqësve kosovarë qëndron në raport me përcaktimin e aleatëve të huaj dhe në mënyrat e zgjidhjes së konfliktit. Demaçi shprehu besimin se në një të ardhme të afërt do të arrihet në qëndrime unike për Kosovën./tvklan.al

Gazetar : Vladimir Lame