Adem Demaçi ka qenë një nga figurat publike më të njohura në Kosovë. Në Shqipëri ai është i njohur më së shumti për angazhimin e tij në politikë pas viteve ‘90 dhe në Luftën e Kosovës. Demaçi ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu ku ka rrëfyer po ashtu vitet e burgut dhe zhgënjimin kur kuptoi gjendjen e vërtetë të Shqipërisë.

“Herën e parë më kanë dënuar për propagandë armiqësore, sipas tyre unë kisha shpifur, por në fakt unë kam folur të vërtetën. Po kështu ishin nenet atëherë. Herën e dytë me disa shokë formuam lëvizjen revolucionare për bashkimin e shqiptarëve, në 1964. Herën e tretë regjimi duke pasur frikë nga unë dhe disa të tjerë, të cilët ishin të rrezikshëm dhe të papërmirësueshëm për të, na goditi procesin e grupit të ashtuquajtur 19, në Janar të 1976. Unë u burgosa më 6 Tetor të ‘75 dhe Skënder Kastrati u burgos më 12 Maj dhe filluan hetimet e mëdha, shkatërrimet dhe detyrimet e njerëzve që të jepnin deklarata të rreme që të na dënonin. Qëllimi i organizatës që ne kishim krijuar ishte që të bashkoheshim me nënën Shqipëri. Regjimi kishte vendosur që të gjithë ata që ishin të rrezikshëm të eliminoheshin nga skena politike dhe të futeshin në burg. Unë kisha shprehur bindjet e mia nëpër biseda sepse të dilje në radio apo gazeta ishte e pamundur. Pas botimit të librit tim “Gjarpërinjtë e gjakut”, u mbush kupa për regjimin dhe u frikësuan intelektualët e atëhershëm. Unë e kuptova shumë vonë që Enver Hoxha ishte thjeshtë një propagandues që kishte shkatërruar vendin e tij. E kuptova kur shëtita Shqipërinë, atëherë mendova se do të ishte më mirë për mua të vdisja me iluzionet që kisha për Shqipërinë se sa e pashë ashtu të shkretuar. Ai ka qenë zhgënjimi më i madh i jetës time. Mendoja se shkalla e ngritjes politike e popullit shqiptar ishte shumë e lartë, por nga ajo që pashë unë ishte shumë e ulët”, tha Demaçi.

Ai gjithashtu tregoi se pas daljes nga burgu ka mbështetur Ibrahim Rrugovën dhe partinë e tij. Demaçi tha se deri më 1992 ka pasur kontakte me kreun e Lidhjes Demokratike, por më pas e kritikoi hapur pasi sipas tij nuk po bënte asgjë për të ndryshuar situatën.

“Më 21 Prill të ’90 unë kam dalë nga burgu dhe ishte e pamundur që të punoja në poste të rëndësishme. Kam pasur iluzione edhe për Rrugovën dhe partinë e tij dhe kam bërë propagandë për të. Kam qenë me mish e me shpirt për të ndihmuar Lidhjen Demokratike, por unë me zotin Rrugova kam mbajtur lidhje deri në 1992 sepse pashë që nuk po bënte asgjë dhe më 1994 shkrova një intervistë të gjatë ku dola hapur me kritika për Rugovën. Sipas meje për të ndryshuar një gjendje ekzistuese nevojitet aksioni. Unë kam bërë aksione në mënyrë ilegale, kjo ishte ajo që na ndante”, tha ai.

Gjatë emisionit, politikani gjithashtu tregoi edhe lidhjet e tij me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Lidhja ime me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ka filluar përmes lidhjeve me Ahmet Haxhiun. Përmes tij kam rënën në kontakt me bërthamën. Jemi mundur të ndryshojmë diçka në rrjedhën e tyre, por ishte e vështirë sepse ata ishin shumë radikalë. Ata vazhduan me punën e tyre, por në mënyrë të largët kam qenë në zgjerimin e bërthamës së UÇK. Unë u bëra përfaqësues politik i UÇK-së më 12 Gusht pasi më ftuan në Tiranë ku ishte edhe udhëheqja dhe aty është vendosur që të marr drejtimin e udhëheqjes politike”, shtoi Demaçi. / tvklan.al