Histori me zhurmues – Në vitin 1952 u krijua Kinostudio “Shqipëria e re” e cila pas një viti kishte realizuar dokumentarët dhe kinozhurnalet e para.

Ndërsa në studiot e “Mosfilm” u realizua bashkëprodhimi i parë sovjetiko-shqiptar, filmi Skënderbeu.

E ftuar në emisionin “Histori me Zhurmues” të autorit dhe drejtuesit Pandi Laço ishte një nga protagonistet e filmit “Skënderbeu” Adivije Sharofi Alibali, e cila luan rolin e Mamicës.

Ajo tregoi se si u bë pjesë e grupit të aktorëve të filmit dhe zbuloi disa nga prapaskenat e realizimit të tij.

“Jeta ime është shumë interesante. Unë isha valltare e valles popullore, por aktiviteti jonë ishte edhe në të gjithë pjesën e operas. Dhe ambienti ku jetoja ishte më këngë. Në atë kohë kishte gramafonë dhe ne kërcenim edhe muzikë të huaj në shtëpinë tonë. Unë kisha Agron Aliajn në klasë në vitin e shtatë dhe më thoshte gjithmonë që të shkoja. Një ditë vjen profesor Panajoti dhe zgjodhi disa vajza dhe shkuam në një provë ku na vunë të kërcejmë pranë Teatrit Popullor dhe shfaqjen e parë e kemi dhënë në vitin 1948. U bë thirrje që të krijohej filarmonia shqiptare, asnjë prind nuk pranoi, u prish mbledhja. Gjatë kësaj kohe kishte bërë jehonë grupi i baletit dhe babi im më thoshte që kudo që shkonte dëgjonte fjalë të mira. Dhe u regjistrova unë, u regjistruan edhe vajza të tjera dhe filloi filarmonia shqiptare. Filarmonia filloi një aktivitet të paparë, në Berlin, Budapest, Varshavë, Moskë etj, dhe kemi marë shumë çmime. Kemi qenë një brez i palodhur dhe pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet deri në vitet ’57. Më pas u nda Opera me Ansamblin e Valleve Popullore dhe unë qëndrova në Opera dhe kam kërcyer tek “Halili dhe Hajria”. Më pas kam kaluar edhe në Ansambël deri kur pata fatkeqësinë e madhe që jam internuar. Vijmë tek filmi “Skënderbeu”. Regjisori i shquar rus Jukeviç më kishte parë në një shfaqje. Ata kishin ardhur për të parë Shqipërinë dhe për të zgjedhur edhe aktorët. Më panë edhe në një shfaqje tjetër dhe pas një viti më lajmërojnë që të shkoj në Moskë bashkë me Naim Frashërin, me Mihal Popin etj., sepse isha zgjedhur për të marë pjesë tek filmi. Në atë kohë jeta ime kishte ndryshuar, unë isha fejuar me Jusuf Alibalin, një njeri shumë i nderuar. Me provën e parë që bëra për filmin aprovova nga këshilli kinematografik. Xhirimet e filmit janë bërë gjysma në Moskë dhe gjysma në Shqipëri. Të gjithë dhanë shpirtin për atë film. Unë ndihem me fat që kam luajtur në atë film sepse kam kërcyer 35 vjet, por ai film më dha lavdi dhe është ndër 100 filmat më të mirë të botës, në kinotekën botërore dhe ka fituar dy çmime në festivalin e Kanës. Isha familja më e lumtur në Tiranë, ndoshta në të gjithë botën, deri më 1975 kur më internuan dhe na çuan në një vend ku rrinin kafshët”, tregoi Adivije Sharofi Alibali.

*Ky material është pjesë përbërëse e arkivës së Televizionit Klan për periudhën 1998-2012 që do të publikohet në kanalin e ri në YouTube /RTV Klan Arkiv. /tvklan.al