“Administator” për bashkitë me borxhe

Posta

“Administator” për bashkitë me borxhe

15:45 30/10/2019

Financat i kërkojnë pushtetit vendor të paguajë detyrimet

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka vendosur që t’u dërgojë administrator bashkive të cilat kanë detyrime të prapambetura ndaj palëve të treta, duke nisur me njësitë që kanë borxhin më të madh.

Në fund të Shtatorit, ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj ka firmosur këtë udhëzim, i cili adreson mënyrën se si duhet të bëhet pagesa e borxheve që ka pushteti vendor, ku dhe parashikohet caktimi i një administratori të përkohshëm nga qeveria.

Në një letër drejtuar bashkive, Ministria e Financave u kujton bashkive shlyerjen e detyrime financiare që kanë akumuluar, në të kundërt do t’i propozohet Këshillit të Ministrave caktimi i administratorit.

Në bashkëpunim me kreun e njësisë vendore, administratori do të hartojë një plan pune për evidentimin e  nevojave minimale që ka njësia, e më pas do të nisë procesin e negocimit të borxhit dhe shlyerjes së tij me palët e treta.

Financat po ashtu u kërkojnë bashkive që të reduktojnë dhe rishpërndajnë fondet në rastin që nuk kanë buxhet për të kryer pagesat e prapambetura.

Deri në Qershor të këtij viti borxhet që 61 bashkitë kanë ndaj palëve të treta kanë arritur në 62 milionë Dollarë, ku pjesën më të madhe e ka kryeqyteti, Pogradeci, Kavaja, Vlora, Durrësi, Lezha, Kamza dhe Dibra.

Detyrimet e pushtetit vendor lidhen me blerjen e karburantit, pagesat e energjisë elektrike, vendime gjyqësore për largime nga puna, ndërsa 11% e tij borxhit janë detyrime për sigurimet shoqërore ndaj punonjësve.

Në një deklaratë të nisur për mediat, Ministria e Financave thotë se po punohet për të hartuar një udhëzim i cili do të detyrojë institucionet të derdhin kontributet në momentin që do të paguhen borderotë e pagave.

Tv Klan


Reklama
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
UKT

Grupi