Tensione dhe akuza të ndërsjellta mes Washington-it dhe Pekinit

Pas Rusisë, furtuna e administratës Bajden bie edhe mbi Kinën. Tensionet, akuzat dhe kundër-akuzat dominuan takimin e parë të nivelit të lartë mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre kinezë në Alaskë.

Që prej fillimit të takimit, sekretari amerikan i shtetit Entoni Blinken akuzoi Pekinin se po kërcënon rendin global dhe konkurrencën e bazuar në rregulla përmes sulmeve kibernetike. Zyrtarët amerikanë akuzuan po ashtu Pekinin për “genocid” ndaj myslimanëve ujgurë, për shkelje të të drejtave të njeriut në Hong Kong e Tajvan.

I ashpër ishte edhe kundërpërgjigja e Ministrit të Jashtëm kinez Uong Ji, i cili akuzoi Shtetet e Bashkuara për ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës. Sipas tij, amerikanët kanë për vete probleme të theksuara me të drejtat e njeriut. Uashingtoni përdor fuqinë ushtarake dhe epërsinë financiare për të ushtruar presion ndaj vendeve të botës.

Sakaq, presidenti turk Rexhep Taip Erdoan u rendit në krah të homologut rus, duke i quajtur të papranueshme etiketimet si vrasës të Xho Bajdenit ndaj Vladimir Putinit.

Tv Klan