Joseph Biden ka emëruar tre zyrtarët e tij të lartë që do të merren me Ballkanin Perëndimor. Rikthehen në departamentin e shtetit dy diplomatë që shërbyen në administratën Obama, Victoria Nuland dhe Molly Montgomery ndërsa komisionin e jashtëm të Kongresit Amerikan e kryeson demokrati Richie Torres në vend të Eliot Engel.

Të tre janë ndër njerëzit më të besuar të Biden në diplomacinë e re amerikane për të garantuar stabilitet dhe zgjidhjen e krizave politike aq të shpeshta për rajonin tonë. Fillimisht Biden ka emëruar Victoria Nuland si nënsekretaren e re të Shtetit për çështjet politike. Nuland e njeh situatën në Ballkan, rajonin me të cilin u mor gjatë periudhës kur Obama ishte President. Ajo këmbënguli për krijimin e Gjykatës Speciale për krimet e UÇK-së, ku gjenden tashmë ish-Presidenti Thaçi, ish-Kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi.

Nuland ishte ndërmjetëse e krizave të brendshme politike në Shkup e Tiranë. Si një kundërshtare e ashpër e Rusisë, Nuland mori pjesë në mënyrë aktive në krijimin e qeverisë anti-ruse në Kiev.

Molly Montgomery do të jetë Zëvendës Ndihmëse Sekretare e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë në vend të Matheë Palmer i cili merret me Ballkanin Perëndimor për më shumë se dy dekada. Edhe Montgomery e njeh mirë rajonin sepse ka punuar në Ambasadën amerikane në Sarajevë. Ajo ishte angazhuar për më shumë se 10 vjet në Departamentin e Shtetit të SHBA, kryesisht në çështjet që lidheshin me Evropën Lindore dhe Bashkimin Evropian.

Në Kongresin Amerikan, lobisti i famshëm shqiptar Eliot Engel u zëvendësua nga Richie Torres, gjithashtu një demokrat, i cili besohet të ndjekë gjurmët e paraardhësit të tij. 

Demokrati 32 vjeçar Richie Torres që vjen nga Bronx ashtu si Engel ka premtuar që të ndjekë gjurmët e paraardhësve të tij në miqësinë me shqiptarët duke veçuar biznesmenin dhe lobistin shqiptar Harry Bayraktari. Fqinjët e Torres janë shqiptarë ndaj ai përfaqëson rrethin e quajtur “Shqipëria e Vogël”, që ndikon në qëndrimet e tij ndaj Kosovës dhe Serbisë. Në Twitter, Torres shpesh kërkon drejtësi për viktimat e luftës së viteve 1990 në Kosovë që u vranë dhe përdhunuan sistematikisht në spastrimin etnik të kryer nga Slobodan Millosheviç. Sipas mediave amerikane është e qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të rrijnë duarkryq kur bëhet fjalë për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.

Ofensiva që filloi nga ish-Presidenti Donald Trump, ka të gjitha shanset për të vazhduar, mbase në një mënyrë pak më ndryshe, por fakti është se kjo temë nuk do të lihet mënjanë, përkundrazi.

Mbetet të shihet nëse administrata Biden, do të ketë një person i cili do të merret nga afër me dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, siç veproi Richard Grenel.

Nuk dihet ende nëse Biden do të përfshihet drejtpërdrejtë në dialogun Kosovë – Serbi,  por është e qartë se kjo treshe e re, dhe në fakt e vjetër  Victoria Nuland,  Molly Montgomery, Richie Torres do të merren në radhë të parë me zgjidhjen e nyjës së Kosovës.

Klan News