Marrëveshja e bërë mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butritit do të mbetet në fuqi. Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar padinë e bërë nga deputetët e PD për të shfuqizuar ligjin për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit. Gjykata vlerëson se për sa kohë shteti ruan pronësinë, nuk ka asnjë cenim për transferimin e kompetencave administruese.

“Gjykata vlerësoi se pavarësisht transferimit të kompetencave me natyrë administrative (menaxhuese) tek Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, shteti vijon të ruajë atributet e tij sovrane për sa kohë që ruan pronësinë mbi këtë pasuri ashtu edhe administrimin indirekt, në përputhje me standardet dhe parimet kushtetuese.”

Sipas “Kushtetueses” marrëveshja në tërësinë e saj ka krijuar mekanizma garantues.

“Çdo akt i Fondacionit është subjekti kontrollit të drejtpërdrejtë të organeve shtetërore sipas fushës së kompetencës të përcaktuar me ligj. Më konkretisht, Fondacioni nuk përjashtohet nga përmbushja e çdo detyrimi ligjor që ka sipas legjislacionitçdo entitet tjetër shtetëror apo publik.”

Dy vite më parë, Kuvendi miratoi ligjin që i hapte rrugë administrimit të Parkut Kombëtar të Butrinit nga një fondacion i krijuar prej Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim.

Por 36 deputetë të PD, i kërkuan Gjyaktës që ta shfuqizojë ligjin me argumentin se është anti-kushtetues pasi roli parësor mbi këtë pasuri kombëtare nuk i takonte më shtetit. Pretendim që u hodh poshtë me shumicë votash nga Kushtetuesja.

Klan News