Klosi: Ndryshon menaxhimi dhe rregullat

Administrimi i plazheve do të jetë ndryshe këtë sezon. Në zonat ku nuk ka hotele, vija bregdetare do t’u jepet privatëve për menaxhim, por 20% duhet të jetë e lirë. Detajet i dha Ministri i Turizmit, Blendi Klosi në një takim në Durrës.

“Suksesi i këtij viti do të jetë nëse strukturat mbijetojnë dhe arrijnë të dëshmojnë që po janë të forta dhe arrijmë të menaxhojmë një sezon të vështirë mbijetese, i cili na garanton që në vitin 2021 ne të kemi mundësinë të bëjmë më shumë biznes. Ne kemi 400 km vijë bregdetare dhe vetëm 12% e tyre janë të menaxhuara. Ne do kërkojmë hapësira më të mëdha publike edhe për qytetarë, por edhe hapësira që do t’i ofrohen hoteleve, restoranteve, në zonat që s’ka hotele do të jetë e menaxhuar sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, 80% private me shezlona dhe çadra dhe në këto zona 20 % do duhet t’i ofrohet publikut, apo personave që duan të bëjnë plazhe pa shfrytëzuar zonën e bregdetit”.

Klosi shpjegoi edhe mënyrën si aplikohet për të marrë në menaxhim hapësirë bregdetare dhe si do të bëhet monitorimi për shkelësit e rregullave.

“Sistemi do të jetë një sistem elektronit, ne kemi ndërtuar një sistem në e-Albania ku aplikimi do jetë i thjeshtë dhe transparent. Nga 1-15 Qershor do pranohen aplikimet, mjafton të futësh numrin e Nipt-it që ka biznesi që duhet të përkojë me biznesin me hotel ose strukturë shërbimi dhe të pranoni nëse do të fitoni të siguroni rregullat e higjienës. E gjithë situata do jetë e monitoruar nga ajri, me foto të cilat vijnë nga situata satelitore dhe për ata që bëjnë aktivitet në zonat e ndaluara apo marrin më shumë sipërfaqe, masat penale do jenë më të forta”.

Për të përfituar një hapësirë plazhi, të interesuarit më parë duhet të plotësojnë disa kritere në kuadër të pandemisë së Covid-19, si ruajtja e distancave mes çadrave, pajisja e plazheve me banjo dhe dushe, por edhe vendosja e rojeve bregdetare. 

Tv Klan