Prej katër ditësh tashmë, protestat e studentëve përpara Ministrisë së Arsimit kanë qenë kryefjala e mediave. Mijëra studentë në të gjithë Shqipërinë kanë bojkotuar mësimin dhe janë bashkuar për të protestuar për uljen e tarifave të studimit. Edhe në “Zonë e Lirë” në Tv Klan, protesta ka qenë pikërisht tema me të cilën drejtuesi Arian Çani ka zgjedhur të nisë emisionin.

Aktivisti Adriatik Lapaj, i ftuar në “Zonë e Lirë”, tha se Kryeministri Edi Rama reagoi menjëherë lidhur me protestën e studentëve pasi ndjen rrezik për pushtetin përballë mijëra studentëve që janë ngritur në protestë.

Ndërkohë Arian Çuri shtoi se studentët duhet të gjejnë një strategji dhe të krijojnë një urë komunikimi për të zgjidhur problemin dhe se protesta e tyre nuk duhet të ndikohet politikisht.

Arian Çani: A po imiton Rama, Ramiz Aliajn? Edhe ai ka bërë takime të tilla në vitit ’90.

Adriatik Lapaj: Unë kam qenë shumë i vogël kur Ramiz Alia ka bërë këto veprime, por dashtë Zoti e imiton se fundin e Ramiz Aliajt pas takimit me studentët të gjithë e dimë. Jemi në kushtet kur sistemi politik në Shqipëri kërkon goditjen e dytë për të reflektuar përfundimisht dhe për t’u kthyer në kushtet e demokracisë së mirëfilltë. Jemi në kushtet e një shoqërie që gëzon liri relative, por nuk besoj se janë absolute. Kryeministrin e respektoj përsa i përket pozicionit, por ai nuk duhet t’i takojë njerëzit pasi bën dëmin. Zotëria ndjek parimin që ne i bëjmë ligjet dhe VKM-të dhe po kaloi dhe s’u ndje njeri, punë e madhe se morëm më qafë 10 fakirë këtu, 7 hallexhinj atje apo 30 njerëz në nevojë diku tjetër dhe kur haset me njerëz në masë të madhe që preken nga këto vendime, thotë zyra është e imja dhe pushteti i juaji. Jo more zotëri, pushteti është i njerëzve para se ti të marësh vendime. Se nuk e thotë këtë ai zotëria kur cënon me një VKM 100 familje, por e thotë tani që ka përballë 20 mijë studentë dhe ndjen rrezik për pushtetin e vet. Ky është problemi.

Arian Çani: Në fakt çdo qeveri këtë do të bënte. Ai reagoi pas një dite, ndërkohë që Macron reagoi pas 3 javësh. Ti e thua sikur ka ndonjë mëkat këtu. Arjan Çuri a po imiton Rama, Ramiz Aliajn?

Arjan Çuri: Jo, Rama është i parashikueshëm, sa herë shikon turma në rrugë ai reagon. Sigurisht, ai do numra dhe iu krijuan numrat dhe reagoi. Por unë mendoj se studentët duhet të gjejnë një strategji dhe të krijojnë një urë komunikime sepse mirë apo keq është Rama, qeveria, ministrja e Arsimit që do t’i zgjidhë problemet. Kjo protestë filloi nga lekët, por nuk duhet të qëndrojë aty. Dhe nuk duhet të ndikohet nga politika.

/tvklan.al