Një aeroplan pasagjerësh në Rusi ka bërë ulje të detyruar në një fushë misri, pasi goditi disa zogj gjatë fluturimit, duke pësuar avari në motor. Aeroplani “Airbus A321” kishte 226 pasagjerë në bord dhe 7 anëtarë ekuipazhi.

Piloti i avionit mundi të ulte me sukses aeroplanin në një fushë misri që ndodhej vetëm 1 kilometër larg pistët së aeroportit. Drejtori i kompanisë ajrore “Ural Airlines” tha se përplasja me shpendët ishte diçka jo e zakonshme dhe ndodh rrallë.

Për shkak të këtij incidenti në ajër, motori i aeroplani pësoi defekt. Pasagjerët, të cilët shpëtuan me lëndime të lehta, ndanë në rrjetet sociale këtë eksperiencë të hidhur.

“Motori u bllokua disa herë, pilotët u përpoqën ta ndiznin përsëri, por aeroplani po humbiste lartësi”, shkruan në Twitter një prej pasagjerëve. Për fat të mirë, kjo ngjarje përfundoi pa pasoja. /tvklan.al