Aeroporti i Puljas interes për atë të Vlorës

Aeroporti i Puljas interes për atë të Vlorës

15:47 17/09/2019

Oferta prezantohet javën e ardhshme te autoritetet shqiptare

Pas dështimit të negociatave me konsorciumin turk, që do të ndërtonte dhe administronte Aeroportin e Vlorës, dalin në dritë të tjerë investitorë të interesuar për këtë projekt.

Sipas asaj që shkruan Corriere del Mezzogiorno është kompania që menaxhon Aeroportin e Puljas që ka shprehur një interes konkret për administrimin e aeroportit në afërsi të bregdetit shqiptar.

Sipas të njëjtave burime, Aeroporti i Puljas ka dërguar tashmë pranë autoriteteve shqiptare një letër interesi, por do ta prezantojë ofertën e tij në një takim që pritet të mbahet javën e ardhshme përpara Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe Kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli, gjatë punimeve të panairit “Fiera del Levante”.

Corriere shkruan se Aeroporti i Vlorës do të jepet me koncesion për 35 vite. Kompania pretendon se Aeroporti i Vlorës mund të përpunojë një numër nga 2 deri në 3 milionë pasagjerë në vit.

Interesi, sipas Corriere, është zgjuar pas rritjes së fluksit të turistëve italianë që pushojnë në jugun e Shqipërisë. Sipas të njëjtave burime, Aeroporti i Puljas ka bërë gati edhe një fond investimi me një kredi prej 65 milionë eurosh, që ka marrë nga banka të nivelit të dytë në Itali për një projekt për zgjerimin e biznesit dhe përfshirjen në grupin e kompanive elitë në bursën italiane.

Të hënën në Vlorë u prezantua projekti i këtij aeroporti. Kryeministri Edi Rama tha se puna nis pranverën e ardhshme, por ende nuk është vendosur nëse ai do të ndërtohet me fonde të qeverisë apo do të kërkohet bashkëpunimi me një kompani private. 

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
KPT
KPT
UKT