Aeroporti i Rinasit i rikthehet normalitetit



Aeroporti i Rinasit i rikthehet normalitetit

11:27 09/04/2021

Nisin normalisht fluturimet e pasagjerëve me të gjitha linjat ndërkombëtare

Aeroporti i Rinasit ka filluar normalisht fluturimet, pas bllokimit që shkaktoi pezullimi i punës së kontrollorëve të trafikut ajror.

Prej mëngjesit të sotëm kanë nisur edhe fluturimet e pasagjerëve ndërsa një ditë më parë filluan udhëtimet e domosdoshme siç janë ato emergjente, shëndetësore, diplomatike, shtetërore dhe ushtarake. Gjatë paradites janë ulur dy avionët e parë.

Ndërkoh që të gjithë pasagjerët e tjerë vijojnë fluturimet normalisht me oraret që i kanë pasur. Nga aeroporti “Nën Tereza” në Rinas këtë të premte janë parashikuar 25 fluturime, pasi janë shtuar dhe 2 fluturime që u anulluan ditën e djeshme.

“Kam ardhur nga Brukseli, nuk e di çfarë ka ndodhur. Na kanë lënë katër ditë shtesë brenda në burg për arsye që ne jemi kthyer mbrapa”, shprehet një udhëtar.

“Thjesht patëm kthime dje që ishte problemi. Kishim njerëz edhe nga Greqia që vinin këtej dhe nga Brukseli prapë”, thotë  një tjetër.

Një ditë më parë ishin të shumtë pasagjerët që pritën me orë të tëra me shpresë që të nisin fluturimet ndërsa kërkuan edhe dëmshpërblim për pasojat që u ka krijuar vonesa.

Mësohet se për rinisjen e fluturimeve kanë ardhur në ndihmë kontrollorë nga Turqia. Godina dhe perimetri i Albcontrol vazhdojnë të jenë nën mbikëqyrjen e patrullave të policisë.  

Klan News







Të ngjashme