Shkup, Zaev: Dozat mbërrijnë në fund të Marsit, pritet ngarkesa nga Kina

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, paralajmëroi një afat të ri për arritjen e vaksinave me të cilat pritet të fillojë imunizimi i popullatës. Kryeministri tha se në fund të Marsit do të arrijë dërgesa e parë e vaksinave të Kompanisë “Fajzer”

“Arriti marrëveshja e kompanisë “Fajzer”. Deri në fund të Marsit do të marrim 21.000 doza të vaksinave. Në kuartalin e dytë do të marrim sasi më të mëdha. Nuk bëhet fjalë për joseriozitet, populli e di se e gjithë bota përballet me mungesë vaksinash. Ne si Qeveri kemi bërë shumë më shumë se ç’duhet për t’i siguruar sasitë e nevojshme”

Kryeministri Zaev sqaroi se Maqedonia e Veriut deri më tani ka porositur 2.5 milionë doza vaksinash nga prodhues të ndryshëm, kurse, sic tha, për arritjen e imunitetit kolektiv, duhet të vaksinohen 1 milion qytetarë.

 “Na duhen 2 milionë doza. Ne kemi porositur 800.000 nga “Fajzeri”, 833.000 nga mekanizmi Kovaks, 200.000 nga Kina dhe 200.000 nga Rusia. Kemi edhe nga BE-ja përmes grantit prej 70 milionë eurove për Ballkanin Perëndimor si dhe donacionet e paralajmëruara nga fqinjtë me çka presim të arrijmë deri në 2.5 milionë doza,” tha Zaev.

Në Maqedoninë e Veriut, deri më tani janë vaksinuar vetëm një pjesë e personelit mjekësor me vaksinat  Kompanisë “Fajzer” që arritën nga Serbia.

www.klanmacedonia.mk