Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka hedhur akuza të tjera kundër kryeministrit Edi Rama lidhur me inceneratorët në Fier, Tiranë e Elbasan. Në një konferencë për mediat, Basha ka thënë se afera e inceneratorëve është vjedhja e shekullit.

Sipas kreit të demokratëve, një biznesmen pa eksperiencë po merr miliona Euro nga xhepat e shqiptarëve.

“Edi Rama vazhdon me afera korruptive. Afera korruptive mund të quhet vjedhja e shekullit është ajo e inceneratorëve. Çfarë tregon ky mega korrupsion i Edi Ramës? Ai i ka dhënë dhjetëra miliona Euro një pronari që ka regjisturar kompani offshore, kompania është regjistruar një ditë para se të lidhte kontratën. Nuk ekzistonte dhe është regjistruar, pa asnjë provojë dhe mori tenderin.

Për rastin e Fierit, ka qenë bashkë me një kompani italiane me përvojë, dhe pasi mori tenderin e larguan kompaninë italiane me 200 mijë lekë të vjetra. Kemi kërkuar praninë mediatike pasi në Fier dhe në Tiranë nuk ekziston incenetarori, por dhe në Elbasan nuk punon me kapacitete të plota”, tha Basha..

Më tej Lulzim Basha i ka drejtuar disa pyetje Edi Ramës dhe kërkon përgjigje prej tij se çfarë e lidh kreun e qeverisë me Klodin Mërtirin.

“Çfarë e ka detyruar Edi Ramën që të japë këto para? Çfarë e lidh Ramën me Klodian Mërtirin? Pse u janë dhënë miliona Euro kompanive që nuk kanë asnjë eksperiencë? Pse kanë shpikur miqtë tuaj këto kompani guacka? Pse nuk është botuar në Fletoren Zyrtare kontrata për inceneratorin e Fierit dhe të Tiranës? Muajin e kaluar Ministria e Financave njoftoi përmes raportit se kompanitë nuk kanë investuar as 12% të fondit që kanë marrë? Çfarë janë këta që marin paratë dhe nuk bëjnë asnjë investim? Çfarë pushteti kanë këta mbi kryeministrin Edi Rama, mbi ish-ministrin e Fiancave, Arben Ahmetaj dhe mbi kreun e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj? Po i shtrojmë si pyetje se ne konkluzionet i kemi bërë me kohë”, shtoi më tej Basha./tvklan.al