Deputeti i PD-së, Arbi Agalliu, në një konferencë për mediat ka denoncuar një rast të legalizimit të një prone në Jalë. Sipas Agalliut, legalizmi dhe hipoteka janë kryer për 24 orë. Më pas, Bashkia e Himarës ka dhënë leje ndërtimi për një kompani, që sipas Agalliut, janë kushurinjtë e parë të deputetit Damian Gjiknuri.

Deklarata e Arbi Agalliut:

Jemi sot këtu për të denoncuar aferat korruptivë që ndodhin me tokat në bregdetin shqiptar. Drejtoria e ALUIZNI-t Vlorë së bashku me zyrën vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Vlorë kanë legalizuar dhe hipotekuar për 24 orë objekt dhe truall me vendndodhje në Jalë, Vuno.

Më pas Bashkia Himarë, jep një leje ndërtimi për kompaninë “Jala Investment”, pikërisht në këtë sipërfaqe toke.

Ajo që ne evidentojmë është pikërisht fakti se aksionerë të kësaj kompanie janë kushërinjtë e parë të deputetit të qarkut të Vlorës, z. Damian Gjiknuri.

Në këtë kontekst ne shtrojmë këto pyetje për z. Gjiknuri

1.A ka ndërhyrë z.Damian Gjiknuri në institucione si ALUIZN-i dhe Hipoteka Vlorë, për të përshpejtuar dhënien e lejes së legalizimit për këtë objekt?

2.A ka ndërhyrë z.Damian Gjiknuri në Bashkinë Himarë për të marrë leje ndërtimi kompania “Jala Investment” ku aksionerë janë kushërinjtë e parë të tij?

3.A po ndërhyn z.Damian Gjiknuri pranë organeve të drejtësisë në këto momente, të cilat janë duke shqyrtuar rastin?

Partia Demokratike inkurajon fort çdo qytetar të denoncojë fort çdo akt korruptiv, çdo presion që ndodh nga punonjës të caktuar, të korruptuar në administratës publike./tvklan.al