BSH: Mbi 40% e kompanive me kredi kanë vështirësi financiare nga pandemia

12 banka që operojnë në Shqipëri janë shprehur se pandemia ka sjellë vështirësi financiare për 40 deri në 60% të bizneseve që kanë një kredi.

Në pyetësorin dërguar sistemit bankar nga Banka e Shqipërisë, 9 prej bankave kryesore në treg që zotërojnë 72% të totalit të kredisë raportojnë kërkesa nga ana e klientëve të tyre për ristrukturim.

Ristrukturimi i kredisë lidhet me shtyrjen e një periudhe pa paguar këstet deri në përmirësimin e situatës financiare ose në uljen e interesit dhe zgjatjen e afatit të kredisë.

Sipas raportimeve të bankave 20% e bizneseve që kanë marrë kredi kanë kërkuar ristrukturim, ndërsa 1 bankë u shpreh se kërksat për të arrinin deri në 40% të klientëve.

“Sipas opinionit të bankave, faktori më i rëndësishëm që pritet të përcaktojë ecurinë e kredisë në të ardhmen është performanca e treguesve makroekonomikë, e lidhur kryesisht me ecurinë e sektorëve specifikë të ekonomisë”.

Nisur nga pasiguritë e shtuara te grupi biznes, bankat kanë ndryshuar sjelljen e tyre ndaj klientëve individë që prej muajit Shtator, duke lehtësuar kushtet e kreditimit.

Banka qëndrore shprehet në raportin e politikës monetare se e ardhmja mbetet e rrethuar nga pasiguri dhe ecuria e ekonomisë do të lidhet me shkallën e kufizimit dhe zgjatjen e pandemisë.

Tv Klan