“Rritja e ndikimit kinez e rus në Shqipëri, një mit”

Pas vendimit të qeverisë shqiptare për të pranuar të strehojë deri në 4 mijë emigrantë afganë, interesi i mediave ndërkombëtare për të pyetur Kryeministrin Rama mbi përsen e këtij hapi ka qenë i madh.

Edhe në intervistën e dhënë për agjencine telegrafike italiane Ansa, Rama përsërit sesa e rëndësishme është që ata që mund të jenë viktimat e regjimit taleban të gjejnë mbështetjen e NATO-s për t’i strehuar.

“E di që nuk është një problem i lehtë për t’u përballur dhe nuk ka përgjigje të lehtë, por më lejoni t’ju them këtë: Deri para pak ditësh, të gjithë ne, ashtu si edhe NATO, ishim engjëjt e tyre mbrojtës. Ne nuk mund të kthehemi në hije, duke u zhdukur së bashku me idealet, vlerat, parimet dhe vetë premtimin e lirisë dhe demokracisë.

Nuk mund të ndodhë që ne, aleanca më e fortë ushtarake në tokë, të bëhemi një organizëm i pafuqishëm, i pashpresë, pa kuptim, jo vetëm në sytë e popullit afgan, por edhe në sytë e botës, të miliona qenieve njerëzore që dëshirojnë lirinë, luftojnë për drejtësi, ëndërrojnë për shoqëri demokratike në atdheun e tyre,. Nuk mund të ndodhë që bashkësia jonë e vendeve të mos japë shpresë dhe strehim, një jetë të re për të gjithë ata që na besuan, punuan për ne dhe luftuan për premtimin e së ardhmes që përfaqësuam”.

Kryeministri flet dhe për zvarritjen e procesit të negociatave me BE për vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut edhe pse reformat e kërkuara janë përmbushur nga të dy vendet. Por pavarësisht mungesën së gatishmërisë nga unioni për të mbajtur premtimet e tij, Rama përjashton çdo mundësi që ky moment zhgënjimi për BE të mund të bëhet moment përfitim për faktorët e tretë në Shqipëri.

“Rritja e ndikimit kinez, rus, turk dhe arab në Ballkan është më shumë një mit, sesa një realitet për Shqipërinë dhe shqiptarët. Nuk ka asnjë ndikim që mund të ndryshojë anëtarësimin tonë evropian. Evropa është një fe për ne dhe, përtej çdo zhgënjimi, ne duam të jemi pjesë e saj në të gjitha aspektet, si zgjedhja dhe profesioni ynë”.

Në intervistën e tij, Rama shpjegon dhe njëherë se nisma Ballkani i Hapur nuk zëvendëson integrimin në BE, përkundrazi e nxit këtë proces të ecë më shpejt.

Tv Klan