Çekia regjistron numrin më të lartë të rasteve ditore me Covid-19 që nga Marsi

Numri i rasteve ditore me COVID-19 të raportuara në Republikën Çeke ka arritur në afro 10,000 për herë të parë që nga Marsi.

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 9,902 raste të reja ndërsa të shtruarit në spital arritën në më shumë se 2,000, ku 288 persona janë në kujdes intensiv.

Çekia, sikurse edhe vendet tjera të Evropës Qëndrore, po shënojnë një rritje të rasteve me COVID-19.

Autoritetet kanë bërë përpjekje të shmangin një mbingarkesë në spitale duke rritur shkallën e vaksinimit. Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë çeke për të zgjeruar fushatën e vaksinimit ajo sërish gjendet shumë poshtë mesatares së Bashkimit Evropian .

Deri më tani në Çeki janë vaksinuar plotësisht 6.095 milionë njerëz. Autoritetet çeke kanë imponuar masa të reja kundër koronavirusit siç është mbajtja e maskave në të gjitha ambientet e mbyllura, përfshirë vendet e punës.

Klan News