Kajmaku do të përballet në gjykatë me tre akuza

Ish-kryebashkiaku i Vorës Agim Kajmaku do të përballet me gjykatën për tre akuza “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, “falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve” dhe “kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij”.

Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe vendosi ta kalojë çështjen për gjykim në ngarkim të Kajmakut. Ish-numri një i Bashkisë së Vorës vazhdon të jetë në kërkim prej Nëntorit të kaluar, pasi policia nuk e ka arrestuar ende.

Kajmaku akuzohet nga Prokuroria se ka shkarkuar dy nënkryetarët e Bashkisë, Laureta Omeri dhe Hekuran Brahimaj, pasi KQZ i kishte hequr mandatin atij, për shkak se kishte fshehur një hetim në Greqi, për përdorim të parave false.

Ishte Partia Demokratike që denoncoi publikisht Kajmakun, me pretendimin se kishte fshehur këtë dënim në formularin e dekriminalizimit.

Edhe pse KQZ i hoqi mandatin, Kajmaku emëroi shefin e tij të kabinetit Gentian Picarin në postin e kryetarit, por Prokuroria thotë se ashtu si në shkarkimi e dy nënkryetareve, edhe në këtë vendim ai ka falsifikuar datën.

Tv Klan