Konsulencë, lehtësi fiskale dhe grante për sipërmarrjet

Së shpejti në Shqipëri do të ngrihet një agjenci e posaçme për të mbështetur bizneset e reja që hapen në fushën e teknologjisë. Këshilli i Ministrave ka nxjerrë për konsultim publik një ligj i cili ofron përmes kësaj agjencie konsulencë për ndërmarrjet, mentorim, lehtësi fiskale dhe grante për të ndarë një pjesë të kostove të të bërit biznes.

Gent Beqiri, ekspert në fushën e ekonomisë, thotë se në thelb nisma ndihmon sipërmarrjet e reja dhe nxit zhvillimin e tyre, sidomos në fushën e të ardhmes atë të teknologjisë dhe inovacionit. Por për të, duhet të rishihet një pjesë e projektligjit që vendos penalitete dhe humb natyrën stimuluese të tij.

“Nisma në thelb është e mirë për të ndihmuar bizneset sidomos në këtë periudhë pandemie, por nuk duhet të hiqet fokusi i natyrës stimuluese të ligjit me penalitete pasi dekurajon aplikimin nga ana e ndërmarrjeve”, tha ai.

Për individët të cilët kanë një plan biznesi në fushën e inovacionit, agjencia e start-up do të ofrojë asistencë ligjore për anën fiskale, por edhe mentorim, ndërsa në fazën e dytë atë të inkubimit të tyre, natyra e shërbimeve do të jetë në ndihmën e gjetjes së tregjeve, klientëve dhe deri te dhënia e granteve të vogla .

“Ndihma jepet në forma të ndryshme, kontakte me bizneset B2B, panaire e deri te grantet e vogla. Për mendimin tim në këtë pikë duhet të ketë dhe një regjistër publik transparent për të parë që përfitimin mos ta ketë një grup i kufizuar ndërmarrjesh.”

Të gjitha ndërmarrjet që do të regjistrohen si start-up në fushën e inovacionit do të jenë të përjashtuara nga tatimi mbi biznesin e vogël, taksa vendore e ndërtesës dhe ajo e vendosjes së tabelës.

Tv Klan