Zëdhënësi i Kremlinit thotë se nuk ka ‘asnjë bazë’ për bisedimet e paqes

Gjendja në termocentralin bërthamor të  Zaporizhias mbetet më shqetësuse në Ukrainë ndërsa luftimet mes forcave ruse dhe ukrainase vijojnë në terren.

Agjencia bërthamore e Ukrainës, Enerhoatom,  pretendon se Rusia po “shantazhon hapur të gjithë botën” duke kërcënuar se do të hedhë në erë këtë termocentral. Kjo agjenci  citon gjeneralmajor Valery Vasiliev, kreun e forcave ruse të mbrojtjes të ketë thënë se ose do të  jetë një tokë ruse ose një shkretëtirë.

Ukraina dhe Rusia kanë fajësuar njëra-tjetrën për sulmet në termocentralin më të madh bërthamor në Evropë që u zhvilluan gjatë fundjavës. Më herët, Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Gueterres paralajmëroi  se sulme të tilla janë vetëvrasëse.

Termocentrali i Zaporizhias është termocentrali bërthamor  më i madh në Evropë. Disa ekspertë theksojnë se termocentrali është ndërtuar për t’i bërë ballë ngjarjeve të tilla si sulmet terroriste dhe fatkeqësitë natyrore. Në rast të një shpërthimi të mundshëm kjo  do të ishte katastrofa e  tretë pas dy aksidente të mëdha bërthamore si ai i Çernobilit dhe Fukushimës me pasoja afatgjata .

Ndërkohë, anijet që transportonin drithë nga Ukraina sipas një marrëveshjeje për të zhbllokuar furnizimet mes kërcënimit të një krize globale ushqimore kane filluar te largohen  nga Ukraina.

“Kjo dërgon një mesazh shprese për çdo familje në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Azi: Ukraina nuk do t’ju braktisë,” tha ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba. Ai vijoi më tej duke thënë “Ne kemi qenë gjithmonë, jemi dhe do të jemi një furnizues i besueshëm i produkteve bujqësore. Ndryshe nga Rusia, ne nuk luajmë “Lojërat e urisë”.

Sakaq,  shpresat për një takim midis liderëve rusë dhe ukrainas  janë shuar nga Kremlini. Në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me propozimet e Turqisë për ndërmjetësimin e bisedimeve të paqes, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelenskyy mund të takohen vetëm pasi negociatorët nga të dyja palët të kenë “kryer detyrat e shtëpisë”.

Klan News