Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka këshilluar Bashkimin Evropian që të planifikojë kursime në përdorim të gazit, për të shmangur magazinat e zbrazëta dhe problemet në zinxhirin e furnizimit këtë dimër.

Për të mbajtur rezervat e gazit në nivele adekuate deri në fund të sezonit të ngrohjes, kërkesa duhet të reduktohet nga 9 në 13 për qind, në krahasim me mesataren e pesë vjetëve të fundit, ka thënë agjencia të hënën.

Sipas saj, një rrjedhje e vogël e gazit të lëngshëm natyror, do të garantonte që rezervat e gazit të qëndronin në 25 deri në 30 për qind.

Por, nëse nuk ka planifikime për kursim, dhe nëse Rusia ndal furnizimet e gazit nga nëntori, nivelet në rezerva mund të bien nën 5 për qind, nëse atë periudhë Bashkimi Evropian pranon vetëm sasi shumë të vogla të gazit të lëngshëm natyror.

Një situatë e tillë do të mund të rrezikonte furnizimet në rast të motit shumë të ftohtë.

“Lufta e Rusisë në Ukrainë dhe reduktimet e mëdha në furnizimet me gaz natyror në Evropë, janë duke u shkaktuar dëme të konsiderueshme konsumatorëve, bizneseve dhe gjitha ekonomive – jo vetëm në Evropë, por edhe ekonomive në zhvillim”, ka thënë drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare e Energjisë, Keisuke Sadamori.

Përdorimi i gazit natyror pritet të zvogëlohet për 0.8 për qind më 2022, me një rekord prej 10 për qind në Evropë dhe kërkesë të pandryshuar në rajonin e Azi-Paqësorit.

Rusia i ka zvogëluar furnizimet me gaz natyror në Evropë, me arsyetimet e mirëmbajtjes së tubacioneve.

Megjithatë, Perëndimi akuzon Rusinë se po përdor gazin si armë, pas sanksioneve që i janë vënë Moskës për nisje të luftës në Ukrainë, në fund të muajit shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL