Protesta që pritet të organizohet gjatë të shtunës nga opozita, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të shoqërohet me masa të larta sigurie të policisë.

Sipas policisë, Partia Demokratike ka marre leje për zhvillimin e protestës prej orës 12:00-16:00 të së shtunës.

Në një njoftim zyrtar, policia paralajmëron se do të ndëshkojë cilindo që do të tentojë të cënojë rendin dhe sigurinë publike.

Më tepër se 1500 policë të komisariateve të Tiranës, njësitë Shqiponja, por edhe FNSH, pritet të instalohen pranë institucioneve të rëndësishme.

Ndërsa 500 efektivë të tjerë do të jenë në gatishmëri.

Pjesa më e madhe do të vendoset pranë Kryeministrisë dhe Kuvendit, ku pritet që të përqëndrohen edhe protestuesit.

Një javë më parë Drejtori i Policisë së Tiranës urdhëroi drejtuesit e komisariateve të evidentojnë personat e dhunshëm. Informacion është kërkuar edhe nga rrethet për personat me tendenca kriminale. Kjo me qëllim që ata të mbahen nën vëzhgim gjatë protestës.

Nuk përjashtohet mundësia që efektivët e policisë të kryejnë kontrolle fizike të protestuesve në pikat e mbërritjes së tyre nga rrethet.

Ndërsa efektivë civilë pritet të shkrihen me turmën.

Nga ora 10:00 deri në përfundim të protestës nuk do lejohet lëvizja e mjeteve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi i rrugës “ Myslym Shyri” deri tek sheshi “Nënë Tereza” dhe në bulevardin “Bajram Curri”, nga kryqëzimi i rrugës “Sami Frashëri” deri tek rruga e “Elbasanit”.

Parkimi i automjeteve në bulevard, pranë Kuvendit të Shqipërisë, por edhe pas piramidës në rrugën “Papa Gjon Pali”, nuk do të lejohet që prej mesnatës së të premtes.

Ndërsa devijime do të ketë në shumë rrugë të tjera dhe linja urbane.

Tv Klan