Rusët e dëbuar nga Greqia në fillim të kësaj jave synonin rrëzimin e qeverisë Tsipras, për të shkatërruar marrëveshjen për emrin e ri të Maqedonisë dhe për të penguar anëtarësimin e vendit në NATO.

Zbulimi vjen nga prestigjiozja londineze “Financial Times” dhe mediat greke, sipas të cilave shërbimet sekrete ruse e kishin shndërruar Aleksandropolin – një qytet në verilindje të Greqisë – në vatrën e aktivitetit për zgjerimin e influencës së Moskës në Europën Juglindore. Dy diplomatët e dëbuar dhe dy shtetas të tjerë rusë, të cilëve iu ndalua hyrja në Greqi ishin përpjekur të korruptonin 3 deputetë të “Grekëve të Pavarur”, aleati i dytë më i madh i koalicionit qeverisës. Ata synonin të ushtronin influencë edhe mes klerit ortodoks dhe grupeve radikale të djathta.

“Financial Times” shkruan se një nga përpjekjet korruptive dështoi pasi u zbulua nga një oficer ushtarak në Aleksandropol, i cili informoi eprorët e tij. Në këtë qytet ndodhet një qendër kulturore e financuar nga Moska, për shkak të pranisë së minoritetit rus. Banorët vendas thonë se me 20 – 30 mijë euro biznesmenët lokalë mund të korruptohen, për shkak të varfërisë që mbizotëron aty.

Pavarësisht se ministria e Jashtme ruse i mohoi akuzat, zyrtarët e qeverisë greke shprehen të indinjuar dhe thonë se ndërhyrje të tilla nuk ka pasur as gjatë luftës së ftohtë, kur Greqia ruante marrëdhëniet e mira me Rusinë. Zyrtarët e departamentit amerikan të shtetit thanë se ky rast është një tjetër fakt se Moska vijon të jetë e interesuar për zgjerimin e influencës destruktive në rajon, pas tentativave të ngjashme në Mal të Zi dhe Maqedoni.

Tv Klan