Një agjent i shërbimit sekret amerikan tentoi të shpëtonte 23-vjeçarin shqiptar që u vra në Nju Jork. Sipas mediave amerikane, agjenti ishte jashtë detyrës kur dërgjoi të shtënat me armë në Bruklin.

Ai po kalonte në rrugën ‘Fourth Avenue’, kur pa Grei Frashërin të shtrirë në tokë. Agjenti tentoi të ndihmonte dhe njoftoi menjëherë ambulancën.

Pavarësisht ndihmës që iu dha, shqiptari nuk mundi të mbijetonte. Ai u shpall i vdekur në spital pak pasi ishte transportuar.

“Një agjent i Shërbimit Sekret jashtë detyrës, i dha ndihmën e parë viktimës që u qëllua. Veprimi i tij duhet përgëzuar”,

tha Michael Seremetis, agjent policie që po heton vrasjen e 23-vjeçarit shqiptar. Shërbimi Sekret nuk e identifikoi agjentin e saj që i dha ndihmën e parë shqiptarit, për arsye sigurie.

Grei Frashëri u qëllua për vdekje të premten e 7 Shtatorit në Nju Jork, ndërsa lajmi është bërë i ditur sot nga mediat amerikane. Policia është duke hetuar për të identifikuar vrasësin dhe për të zbardhur shkaqet e ngjarjes. Të mërkurën më 12 Shtator, 23-vjeçari shqiptar do të përcillet për në banesën e fundit.

/tvklan.al