Vinicius Junior është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Real Madrid, por edhe të Brazilit.
Sulmuesi i ka mahnitur të gjithë me formën e treguar dhe ishte një nga kandidatët kryesorë për të fituar “Topin e Artë”.
Për shumë tifozë të Realit, ai është kthyer në një idhull, por një prapaskenë nga e kaluara ka zbuluar se lojtari mund të kishte përfunduar te Barcelona.
Agjenti i lojtarëve në Brazil, Andre Curry, në një intervistë të dhënë për “AS”, zbuloi se ishte thuajse i kryer transferimi i Vinicius te Barcelona, para se të kalonte te Reali. Megjithatë madrilenët u treguan më të shpejtë dhe mbyllën akordin me sulmuesin, për ta transferuar në “Bernabeu”.
“Ne kishim takim me Vinicius dhe përfaqësuesit e tij, pasi na i kishin kërkuar. Donim ta merrnim atë sepse ishim duke punuar me Barcelonën në atë kohë. Gjithçka ishte gati për firmën te katalanasit, por në fund familja e tij së bashku me agjentët ndryshuan mendje”, u shpreh Curry.
Vinicius Junior është pjesë e Real Madrid nga viti 2018 dhe numëron 202 ndeshje të luajtura, ku ka shënuar 61 gola.
/tvklan.al