Andrea Agostinelli nuk është më trajner i Partizanit. Këtë e konfirmoi vetë italiani për Televizonin Klan. Megjithatë klubi nuk po bën asgjë zyrtare. Agostinelli, pas aventurës disa mujore te ekipi kryeqytetas tani, është në pritje të ofertave të tjera për sezonin dhe nuk përjashton një rikthim në Superligë.

Objektivi ishte titulli kampion dhe diçka e tillë nuk u arrit, duke sjellë edhe lëvizje në stafin drejtues të Partizanit. Ndryshimet te të kuqtë nisën para disa ditësh me largimin e drejtorit Dritan Dervishi, i cili u zëvendësua nga Genc Tomorri. Si Dervishi dhe Agostinelli u afruan sezonin e kaluar te Partizani.

Andrea Agostinelli e drejtoi Partizanin në 20 ndeshje në kupë dhe kampionat, nga të cilat fitoi 9, barazoi 8 dhe humbi 3.

Klubi kryeqytetas nuk shpallet kampion prej vitit 1993. Partizani që e mbylli në vendin e dytë në Superligë, tani duhet të përgatitet për pjesëmarrjen në Europa League. Shorti do të hidhet më 20 qershor në Nion./ TV KLAN