Andrea Agostinelli është trajneri i ri i Skënderbeut. Italiani që gjysmën e sezonit të kaluar drejtoi Partizanin, do të zëvendësojë Mirel Josën te kampionët e Shqipërisë.

Klubi falenderoi Josën për punën e bërë dhe sukseset e arritura në 4 vitet e drejtimit në stolin e kampionëve. Pas bisedimeve me drejtues të klubit korçar Agostinelli është bindur të mos largohet nga Superliga.

59-vjeçari është fotografuar duke stërvitur ekipin dhe në ditët e ardhshme bashkë me ekipin do të nisin fazën përgatitore në Austri ku janë përcaktuar edhe disa miqësore. Grumbullimi do të nisë më 25 Qershor dhe do të zgjasë deri më 6 Korrik.

Atë ditë Skënderbeu do të mësojë edhe vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv në Lozanë, rreth ankimimit për përjashtimin e UEFA-s për një sezon nga kupat e Europës për shkak se akuzohet për trukim ndeshjesh.

Skuadra korçare ka marrë pjesë në shortin e Champions League ku në turin e dytë do të përballet me hungarezët e Ferencvaros, gjithmonë nëse rrëzohen akuzat nga Gjykata e Arbitrazhit.

Megjithatë drejtuesit e Skënderbeut kanë bërë afrime, duke zyrtarizuar afrimin e ish-mesfushorit japonez të Tiranës Masato Fukui dhe futbollistit kosovar Argjend Mustafa.

Tv Klan