“Basha të nxjerrë mësimet e duhura nga humbja”

Teksa Lulzim Basha nuk e ka njohur ende rezultatin e zgjedhjeve të 25 Prillit, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ka uruar për fitoren kundërshtarin e tij, duke u bërë i pari aleat i kryedemokratit që pranon humbjen e opozitës në garën e së dielës.

“E nis këtë qëndrim duke uruar Partinë Socialiste për fitoren në zgjedhjet e 25 Prillit. Nëse humbësi  nuk ka forcën morale t’i japë dorën fituesit është i dënuar të humbasë përsëri. Nuk dua të diktoj mendimin tim, por si Kryetar i PAA-së duke shprehur edhe mendimin e Kryesisë, marr përsipër gabimet e bëra dhe i uroj kundërshtarit politik suksese në qeverisjen e ardhshme”.

Për disfatën në zgjedhje sheh strategjinë e gabuar të ndjekur nga kreu i opozitës, Lulzim Basha, me të cilin tha se ka ndarë qëndrime të ndryshme, sa i përket djegies së mandateve dhe bojkotimit të zgjedhjeve vendore.

“Këto vendime të gabuara na kushtuan shumë. Nuk mund të fajësojmë kundërshtarin politik përse përfitoj nga gabimet tona por përkundrazi, duhet të korrigjohemi për të mos i përsëritur ato në të ardhmen edhe pse unë i kam  konsideruar të gabuara ato vendime e jam dakordësuar me ndërgjegje të plotë dhe për këtë fajësoj veten dhe jo të tjerët”.

Duke marrë përsipër edhe një pjesë të gabimeve të tij, Duka shprehet se nga kjo humbje Lulzim Basha dhe opozita duhet të nxjerrë mësimet e duhura për të fituar ndeshjen e radhës. Sipas tij, opozita duhet të jetë e bashkuar dhe konstruktive  për të udhëhequr vendin në proceset integruese.

Tv Klan