Prej disa kohësh, Agron Llakaj e ka afruar artin e tij edhe me epokën e teknologjisë. Aktori ka hapur një kanal Youtube ku poston skeçe humoristike dhe pjesë të shkurtra plot humor nga jeta e përditshme.

I ftuar këtë mëngjes në “Aldo Morning Show”në Tv Klan, një ftesë që ndodhi krejt spontanisht gjatë programit së cilës Llakaj iu përgjigj menjëherë, ai tregoi si lindi kjo ide. Për të është një shpenzim më i mirë i kohës gjatë periudhës kur televizioni ka fazat e veta të pushimit.

Në kanal, veç humorit zë një pjesë të rëndësishme edhe rrëfimi i jetës së tij. I ndarë me abonentët përmes videove, shumë shpejt do të jetë edhe një libër i shkruar.

Agron Llakaj: Në qoftë se do ta kesh kohën sepse vetë gjatësia e materialit është diku te 38-40 minuta që nuk e ka komoditetin çdokush të të ndjekë, ka qëllimin e coëptimit të pjesëzave të cilat krijojnë interesin apo intrigën e atij që të ndjek. Me këtë qëllim po e realizoj, duke e materializuar në kanalin e Youtube,  ajo automatikisht pastaj nëpërmjet mjeshtrave të letrës kalon duke u bërë një libër. Jetëshkrimi im deri tani, është rrëfimi im i jetës sepse me kohë dhe me moshë, është ai momenti siç e the dhe ti, duke ardhur, duke ‘u rinuar’ dhe është momenti për të mos treguar përralla por për të treguar realitetin, jetën sikurse ka qenë. Kujtimet gjithmonë janë të bukura. Kujtimet janë edhe me “mbaj mend”, por sot kemi fatin e madh që t’i materializojmë.

Llakaj shton se kanali kërkon investimin e tij të kohës dhe është një angazhim më vete, por për të është një projekt i ri, një “fëmijë i porsalindur” që duket se e do shumë.

Agron Llakaj: Ka periudha që ne do jemi në ajër, që është një kohë pushimi që mendoj se duhet të shfrytëzohet mirë, të ndërtohet mirë sepse nëse do ta mbash mirë një kanal Youtube do të të duhet edhe një studio, duke qenë në këtë lloj forme,  kërkon atë kohën e vet të rritjes. Le ta themi që ky kanal është si një fëmijë i porsalindur./tvklan.al