Deputeti demokrat, Agron Shehaj shprehet në emisionin “Opinion” në Tv Klan se duhet bërë një rinovim total i Partisë Demokratike në mënyrë që sipas tij, të rritet mbështetja dhe besimi.

I pyetur se a po shkon drejt një partie të re politike, deputeti Shehaj deklaroi se vendi ka nevojë për opozitë, por shtoi se akoma nuk e ka marrë një vendim të tillë, megjithatë nuk e përjashtoi si mundësi.

Agron Shehaj: Duhet të bënim një rinovim total të PD-së. Prisja që të ndodhte një rinovim i PD-së. Mendoj se një parti që do të rrisë mbështetjen dhe të rrisë besimin, duhet të rinovohet, duhen figura të reja. Një parti politike që do të rrisë mbështetjen, duhet të ndryshojë. Ky qëndrim ngjan me qëndrimin që mbajta kur kandidoja kundër Bashës. Vendosa që të mos largohesha nga PD sepse ishte një partie e madhe dhe e bashkuar dhe mendoja se nuk doja ta përçaja PD-në. Basha përjashtoi Berishën, Berisha u rikthye në PD. Ndoqa atë që ka shumicën. Kam marrë demokratët një më një dhe kam parë e kam vërtetuar se Berisha kishte shumicën. Detyrimi im, ta njihja Berishën si kryetar i PD-së. Ishte një lëmsh. Berisha u rikthye, tha që do të rinovonte PD-në, që do të fitonte zgjedhjet, mori pjesë në disa zgjedhe, u rikonfirmua nga demokratët si kryetar i PD-së. Pas zgjedhjeve të fundit lokale, ishte e qartë. Nuk janë të mjaftueshme 500 mijë vota. Unë do të vazhdoj të bëj opozitën në Parlament. Nuk kam bërë llogari se çfarë do të bëj. Unë jam i bindur se kështu nuk mund të vazhdohet dhe nuk mund të bëj politikë pa pasur një vizion minimalisht afatmesëm. Mundet dikush që është brenda një partie politike të mos jetë dakord me ecurinë dhe rezultatet. Unë mendoj se duhet të ketë një rinovim dhe unë po largohem, por nuk do të thotë se unë do të largohem nga politika e të përçaj.

Mirela Milori: Gjërat që janë të vagullta nuk janë të mira në politikë… Mendoj se po shkoni drejt një finalizimi, drejt një partie apo lëvizje. Do të shkohet atje, por nuk jeni gati ta thoni që po e projektoj këtë, por unë nuk mund të flas në emër tuaj.

Agron Shehaj: Nuk është. Ky është një vend që ka absolutisht nevojë për një parti opozitare, por unë nuk kam marrë një vendim të tillë. Nuk e përjashtoj, por sot nuk e kam marrë një vend të tillë. Çdo mundësi është ekzistuese.

/tvklan.al