Shehaj: Vota për PD nuk është e humbur, do përfaqësohet besnikërisht në Kuvend

Humbja në zgjedhjet e 25 prillit ka trazuar ujërat në Partinë Demokratike. Teksa një pjesë e demokratëve kërkojnë dorëheqjen e kryetarit Lulzim Basha, të tjerët nuk po ndajnë të njëjtën linjë as për njohjen ose jo të rezultatit që nxori fitues Partinë Socialiste.

Një prej tyre është Agron Shehaj, një prej emrave më të lakuar për të qenë në krye të PD dhe që spikati në këto zgjedhje për shkak të numrit të lartë të votave preferenciale, gjithsej 13 852 vetëm në qarkun e Tiranës.

Nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale, Agron Shehaj konfirmon se do të jetë në Kuvend për të përfaqësuar qytetarët në rolin e opozitarit dhe se asnjë votë e PD nuk është e humbur. Një deklaratë që bie ndesh me linjën zyrtare të PD që deri më tani ka pretenduar se votat janë manipuluar.

“Vota juaj për Partinë Demokratike nuk është e humbur, ajo do të përfaqësohet besnikërisht dhe me kurajo në Kuvendin e Shqipërisë, që mbi të gjitha u takon shqiptarëve të thjeshtë. U jam gjithashtu mirënjohës dhe ndihem përgjegjës ndaj të gjithë juve që shprehët besim tek unë personalisht. Do ta tregoj me punë, çdo ditë, se jam në politikë për ju dhe për t’i shërbyer me nder interesit publik”.

Me një mesazh optimist i është drejtuar elektoratit dhe i katërti në listën e PD në qarkun e Durrësit, Oerd Bylykbashi. Teksa u premton demokratëve ringritjen e PD, u kërkon të ndihen krenarë për votën e tyre.

“Edhe pse zgjedhja juaj nuk fitoi, sot duhet të ndjeheni krenarë për votën tuaj. Falenderoj nga zemra çdo zgjedhës që zgjodhi të personalizojë votën për Partinë Demokratike me emrin tim qoftë edhe pa më njohur personalisht, përtej premtimeve, pazareve dhe interesave klienteliste. Duhet të jenë krenarë që arritën të rrisin me 80% Partinë Demokratike. Ky ishte qëllimi juaj dhe i imi si kandidat përtej projekteve personale”

Deri më tani PD nuk ka bërë asnjë ankimim për zgjedhjet në 25 prill, por Lulzim Basha është i bindur se zgjedhjet u manipuluan duke premtuar mosnjohjen e tyre në vijim.

Tv Klan