Ministri Arbjan Mazniku dhe deputeti i PD Agron Shehaj janë përfshirë në një debat të ashpër mes tyre në studion e emisionit Opinion në Tv Klan.
Diskutimi mes tyre ishte fokusuar në fitoren e zgjedhjeve nga ana e Partisë Socialiste, për të cilat deputeti Shehaj akuzoi Maznikun dhe Kryeministrin se fitojnë vetëm përmes parave të vjedhura dhe pushtetit.
Nga ana tjetër, Mazniku ju përgjigj akuzave të Shehajt duke thënë se këto deklarata bëhen nga humbësit që nuk pranojnë humbjen.
Arbjan Mazniku: Anatemimi që i bëhet sistematikisht sistemit nga njerëzit që thjesht humbasin, njerëz të cilët garojnë, futen në zgjedhje, humbasin, nuk e shohin dot të vërtetën në fytyrë dhe të kuptojnë që thjesht kanë humbur. Thjesht njerëzit nuk kanë zgjedhur alternativën e tyre politike se nuk i besojnë. Midis një të vërtete të prekshme reale që njerëzit nuk i besojnë se nuk kanë një alternativë të besueshme qeverisëse, në atë moment zgjidhja më e thjeshtë është të demonizojmë sistemin. Zotëria në fjalë ka qenë në fushatë të 2021 shpenzuesi më i madh sipas faqes së Facebook, shpenzuesi më i madh i çdo kandidati individual si shpenzues. Nuk e di sa. Siç dhe ndodh, ishte dhe performuesi më i mirë te gara e PD. Tentativa për të anatemuar sistemin kur thjesht je humbës, është një nga ata që në Amerikë quhen humbësa që s’dinë të pranojnë humbjen.
Agron Shehaj: Mazniku ka shumë të drejtë që të vijë të japi leksione të thotë ju humbët kështu që pranoni humbjen, edhe duke shitur dhe mend duke na treguar teori këtu. Me paratë e Maznikut fiton kushdo, me paratë që ka Mazniku dhe përdor në fushatë elektorale fiton edhe një majmun. Një majmun ta marrësh t’i japësh paratë që ka përdorur Mazniku në zgjedhjet e fundit në 2021, fiton. Edhe me pushtetin që ka. Kur flet Mazniku sa kam harxhuar unë në Facebook, unë mund të kem harxhuar 10 mijë Euro një gjë e tillë. Mazniku duhet të na thotë, PS ka një hiprokizi thotë që ka deklaruar 1.5 milionë. E di kushdo që ju keni harxhuar dhjetra miliona Euro dalë nga ju, përveç atyre që kanë dalë nga oligarkët tuaj. Ju vetëm për këtë duhet të ishit në burg. E di kushdo, e di SPAK, e dinë ndërkombëtarët, e dinë gjithë shqiptarët. Dhe mos na shit mend ne këtu se nëse ke fituar, ke fituar me para, nuk ke asnjë aftësi, asnjë zotësi. Thjesht ke vjedhur dhe me paratë që ke vjedhur ke blerë zgjedhjet edhe je aty ku je. Dhe keni 3 mandate që jeni aty dhe i keni kthyer zgjedhjet në nëj formalitet. Kështu që mos na shit shumë mend.
/tvklan.al