Sulmuesi habitet me masat e marra, as dritat nuk lihen ndezur përtej orarit

Sergio Aguero tregon masat drastike që Barcelona po aplikon, që të mund të ulë shpenzimet në klub për shkak të borxhit prej 1.35 miliardë eurosh që i duhet të shlyejë.

Muajin e kaluar, Presidenti Hoan Laporta deklaroi se situata te katalanasit është mjaft e vështirë për shkak të bilancit të stërmadh negativ, që ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit të parardhësit të tij Josep Bartomeu.

Drejtuesit e katalanasve po tregohen aq shumë kursimtarë, sa edhe dritat nuk i lënë ndezur në qendrën stërvitore pa orar, e për më tepër ua kanë ndaluar futbollistëve të ekipit që të rrinë përtej orarit të përcaktuar në ambientet e klubit.

 “Te City ne shkonim të paktën një orë e gjysmë përpara stërvitjes. Këtu te Barça, vetëm 30 minuta më para. Mendova që të vij 1 orë më herët që të shikoja nëse mund të shkoja në palestër, por jo. Edhe dritat ishin fikur. Shumë ndryshe këtu”.

Argjentinasi firmosi një kontratë dy vjeçare me Barçën në muajin Maj. Ai ndihet paksa i hutuar me mënyrën se si drejtuesit po e menaxhojnë situatën, duke bllokuar lojtarët që të stërviten siç ata duan. Por pavarësisht problemeve financiare, sulmuesi 33-vjeçar ka dëshirë të madhe që ta ndihmojë ekipin të fitojë trofe në Spanjë dhe Europë.

Klan News