Historiani Aurel Plasari ka qenë këtë mbrëmje në emisionin “Opinion” në Tv Klan, në një rrëfim ndryshe mbi jetën e tij dhe për historinë e Shqipërisë.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu, lidhur me atë që mund të konsiderohej si defekti më i madh i shoqërisë shqiptare gjatë këtyre 30 viteve, Plasari tha se në grupin e politikanëve është marrja përsipër e punëve për të cilat nuk janë të zotë dhe nuk janë ekspertë.

“Kurse këtu vijuan me këmbëngulje, siç vijojnë edhe sot. Edhe unë nuk kam dashur ta besoj për çfarë vijojnë një kategori dhe jam tronditur kur e kam dëgjuar nga njëri prej tyre, deputet politikan; ishim jashtë në një udhëtim dhe unë po pyesja çfarë e keni këtë kështu, si Noli, me thonj, me dhëmbë me kthetra? Dhe më thotë njëri: Je mbrapa profesor, se ti nuk e di që rruga më e mirë për t’u pasuruar është politika.

Kjo nuk është një shpikje shqiptari, por në botën demokratike ky është një anormalitet, kurse të praktikohet e të thuhet…domethënë më bëjnë mua budalla, që nuk e kuptoja…. Tashmë mbasi kam dëgjuar atë tezë jam në gjendje t’i gjykoj; grupimin politika, klasën politike, zhganin politik. Sigurisht ka njerëz që kanë hyrë për ideale, por janë shumë të dallueshëm sepse në një moment të caktuar thonë: po largohem. Ndërsa i dalloj ata që me thonj e me dhëmbë nuk largohen”, tha Plasari./tvklan.al