“Do të kundërshtojmë ligjin për kanabisin dhe të Akademisë së Shkencave”

Ndonëse Konferenca e Kryetarëve i rrëzoi kërkesat e opozitës për mocion me debat dhe interpelancën me Kryeministrin Rama për aferën e inceneratorëve, Sali Berisha paralajmëroi nga mbledhja e grupit parlamentar se Partia Demokratike do të mbrojë në parlament të drejtën e saj kushtetuese.

“Të gjithë në Parlament kemi detyrimin të mbrojmë Kushtetutën dhe të nxjerrim Edi Ramën siç është, bos i një organizate kriminale që u vjedh shqiptarëve 720 milionë Euro“.

E teksa u shpreh se Komisioni Europian pezulloi për shkak të korrupsionit fondet për bujqësinë, këtë të fundit e ftoi të shtrijë hetimin edhe për projektet infrastrukturore.

“Ndaj na del edhe Akademia e Çobenëve tani dhe materniteti i mushkave. IPARDI e pa, por nuk është vetëm kjo vjedhje. I bëj thirrje Komisionit Europian të hetojë çdo projekt në infrastrukturë të Shqipërisë”.

Me forcë opozita do të kundërshtojë të enjten edhe miratimin e projektligjit për përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore, pas së cilit Berisha tha se fshihet një skenar i mirëorganizuar i Kryeministrit Rama.

“Tani ka filluar të mbulojë vendin opiumi, lulëkuqja”.

Projektligjin për Akademinë e Shkencave, Sali Berisha nuk nguroi ta krahasojë me ngjarjen e ndodhur në Borizanë.

“Këtu mafia me kollare i është vërsulur Akademisë së Shkencave për shkak të marrëveshjes Rama-Doshi”.

Premtoi se projektligji për Mjekësinë do të jetë kryefjalë e opozitës, duke garantuar studentët se Partia Demokratike do jetë në mbrojtje të kauzave të tyre.

Tv Klan