Qeveria ka bërë efektiv buxhetin për përfitimin e tarifave të reduktuara për 100 mijë studentë në të gjithë vendin. Në një deklaratë për mediat, ministri në detyrë i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj u bëri thirrje bordeve të administrimit të universiteteve që të mblidhen dhe të bëjnë gati sa më parë listat e studentëve, të cilët përfitojnë sipas vendimit të qeverisë tarifim zero ose përgjysmim.

Ahmetaj lexoi edhe listën e emrave të punonjësve të Ministrisë së Financave dhe asaj të Arsimit që do të asistojnë universitet për procedurat e uljes së tarifave të studentëve, ndërsa tha se të gjithë ata të cilët e kanë paguar të plotë tarifën për vitin akademik 2017-2018, shuma do t’u kthehet mbrapsht në llogari.

Qeveria ka përgjysmuar edhe tarifat e konvikteve që janë në proces rikonstruktimi për 8 mijë studentë, ndërsa kërkon që Këshillat Bashkiakë të mos marrin vendime për dhënien e bursave të studentëve, pasi këtë kompetencë e ka Ministria e Arsimit. Këtë vit studentët me ndihmë ekonomike dhe me mesatare nga 9 deri në 10 do të përfitojnë 10 mijë lekë bursë studimi në muaj.

Tv Klan