Arben Ahmetaj thotë se dëmi paraprak nga tërmeti mund të jetë 700 milion deri në 1 miliardë euro. I ftuar mbrëmjen e kësaj të marte në emisionin “Opinion”, Ahmetaj theksoi se kjo nuk është një shifër zyrtare dhe se shifra deri në 1 miliard euro llogaritet bashkë me dëmin në infrastrukture.

“Kërkoj ndjesë sepse nuk është shifër as zyrtare, unë mendoj që duhet të jetë diku tek 700 milionëshi, e ndoshta edhe më sipër. Ndërsa konsekuencat mund të jenë edhe njëherë se kaq. 700 milionë deri në 1 miliardë, me gjithë infrastrukturën e dëmtuar flas, jo thjeshtë banesat, shkon te 1 miliardëshi. Por gjithsesi prap e them dhe dua ta ngul që nuk është një shifër zyrtare”.

Ish-ministri tha se një vlerësim paraprak të dëmeve nga tërmeti pritet të dalë më 16 Janar.

“Dua ta ndaj me ju që Ministri Çuçi, po punon me Bankën Botërore, me Kombet e Bashkuara dhe me Komisionin me një metodologji që bën vlerësimin paraprak të dëmeve dhe me 16 Janar do të na dalë vlerësimi i parë i dëmeve në bazë të kësaj. Dhe është vlerësim prap paraprak”./tvklan.al