Ahmetaj kërcënon Gazment Bardhin: Do të të nxjerr bojën, do tregoj ç’ke marrë në zyrë



Ahmetaj kërcënon Gazment Bardhin: Do të të nxjerr bojën, do tregoj ç’ke marrë në zyrë

00:17 20/10/2020

Ish-ministri i Financave Arben Ahmetaj është njëri nga të akuzuarit e Partisë Demokratike në SPAK për çështjen e inceneratorëve të plehrave.

Ahmetaj ka ndërhyrë përmes lidhjes telefonike në emisionin “Opinion” në Tv Klan mbrëmjen e sotme duke u përballur me dy përfaqësuesit e Partisë Demokratike në studio, Gazment Bardhin dhe Enkelejd Alibeajn.

Arben Ahmetaj tha se inceneratorët janë pronë shtetërore.

“Ato janë dy investime publike dhe janë pronë e shtetit. Në procedurë vendimi për shpallje emergjence është emergjencën që e kanë lënë ata”.

Ish-ministri i Financave pati replika dhe debate të ashpra me Sekretarin e Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhin.

Gazment Bardhi: Bashkinë e Elbasanit e ka pasur ti 10 vjet

Arben Ahmetaj: Pusho, pusho!

Gazment Bardhi: Mos më thuaj mua fare pusho ti.

Arben Ahmetaj: Pusho se s’je as turist!

Gazment Bardhi: Mos më thuaj mua fare pusho ti. Bashkinë e Elbasanit e ke pasur ti 15 vite në administrim dhe menaxhimi i mbetjeve…

Arben Ahmetaj: Pusho se të tregova çfarë ke marrë nga zyra e atyre..

Gazment Bardhi: Nga zyra e kujt?

Arben Ahmetaj: Po ke marrë, ke marrë, po do të tregoj unë. Do të të nxjerr bojën…

Gazment Bardhi: Ti të më nxjerrësh mua bojën? Po ti je me bojë të nxjerrë se je hajdut.

Blendi Fevziu: Po të keni nxjerrje boje jam unë i hapur kur të doni.

Gazment Bardhi: Kur të duash.

Arben Ahmetaj: Rri se do të them ndonjë epitet.

Sa i përket akuzave të tyre, Ahmetaj u shpreh se Ministria e Financave nuk ka patur kompetenca për tenderin e inceneratorëve.

“Janë dy investime publike që i kalojnë shtetit në fund të periudhës së koncesionit. Ministria e Financave, i thuaj të lexojnë nenin 42 të ligjit, Ministria e Financave është autoritetet fiskal që merret me qëndrueshmërinë fiskale, e bën autoriteti kontraktor”.

Ndërsa për t’iu përgjigjur akuzës së Enkelejd Alibeajt që tha se Ahmetaj ka qenë në makinë me Mirel Mërtirin kur u përfshi në aksident 3 vite më parë në Maqedoni, ish-ministri i Financave u shpreh: “Tek makina, unë jam në makinë, kam qenë dhe do të jem me të paktën 500 biznesmenë. Personi që përmendni nuk është kontraktor. Unë nuk bëj procedurë. Nuk kam qenë ministër”. /tvklan.al




Të ngjashme