11 500 biznese të vogla të cilat kanë hyrë në zinxhirin e TVSH-së prej datës 1 Prill nuk do të marrin penalitete nga administrata tatimore për deklarime të gabuara të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i ka nisur një letër Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ku i kërkon që përfshirja në TVSH e kësaj kategorie sipërmarrësish të mos ketë si synim vendosjen e gjobave për ta, por këshillimin dhe korrigjimin e deklaratës.

Në letër, kreu i Financave i ngarkon si përgjegjësi edhe administratës tatimore, konstatimet e deklarimeve të vonuara apo mosdeklarimin e TVSH-së nga ana e biznesit të vogël.

Tatimet, shkruan Ministri Ahmetaj, duhet të kontaktojnë me çdo biznes deri në datën 15 Korrik, për t’i njohur ata me detyrimet që u rrjedhin si pjesë e përfshirjes në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe kujtimin e afatit maksimal për deklarimin e kësaj takse. 

Këto ndërmarrje tashmë duhet të bëjnë riformatimin e kasës dhe vendosjen e vlerës 20% të fatura e shitjes, të mbajnë librat e blerjes dhe të shitjes, si dhe njëherë në 3 muaj të deklarojnë TVSH-në.

Tv Klan