Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ishte në një fabrikë të riciklimit të mbetjeve, për të bërë disa sqarime mbi ligjin e ri për importin e mbetjeve. Ai tha se mbetjet do të sillen në Shqipëri vetëm për nevojat e kësaj industrie.

“Ligji që ne kaluam para disa ditësh ka ndryshime thelbësore nga ajo që ne frenuam në 2013. Pra, jo depozitim, jo djegie, por lëndë e parë dhe import i kufizuar për ata që prodhojnë, i lidhur me kapacitetet prodhuese. Kemi lidhur importin me nevojat tuaja. Pra jo çdokush mund të importojë. Konsiderohet lëndë e parë për procesin e riciklimit. Do të importojnë vetëm ata që kanë instalacione apo fabrika si kjo të përputhura me kuotat në bazë të kartës teknologjike, pra në bazë të kapacitetit. Në qoftë se të duhen vetëm 30 ton, ti nuk mund të importosh dot më shumë se 30 ton.”

Ministri lajmëroi edhe një vendim qeverie që po përgatitet, në dobi të transparencës së këtij procesi.

“Ne e kemi kufizuar edhe hyrjen e mbetjeve në 3 pikat doganore, ku realisht shumë shpejt do të kalojmë dhe në një vendim qeverie në përputhje me ligjin, ku grupe ambientalistësh, apo njësi ambientalistësh, siç ndodh në të gjithë botën mund të vijnë të çertifikojnë importin vetë.”

Në komunikimin me drejtuesit e fabrikës, Ahmetaj mori garanci se ky cikël prodhimi nuk krijon mbetje.

Tv Klan