3 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar, që pati rol vendimmarrës në politikat buxhetore të vendit, Qeveria Rama nuk ka ende një vendim nëse do ta rinovojë apo jo, marrëveshjen me FMN, e cila përfundon në shkurt të vitit 2017.

I pyetur nga gazetarët, nëse do të ketë apo jo zgjatje të mëtejshme, ministri i Financave, Arben Ahmetaj la të kuptohet se mund të mos ketë ripërtëritje të saj, por që me FMN do të vazhdojë bashkëpunimi.

Deklaratat ministri i bëri gjatë një analize për treguesit ekonomik të 8 mujorit të këtij viti, të cilat sipas tij janë pozitive me përjashtim të kreditimit, që siç e theksoi vetë ai për biznesin e vogël dhe të mesëm kredia është në të njëjtat nivele ose me rënie të lehtë.

Ahmetaj hodhi poshtë mundësinë për vendosjen e një takse pasurie në bazë të vlerës së zonës, siç ka rekomanduar FMN, duke thënë se Fondi Monetar rekomandon taksa të ndryshme por nuk ka asnjë në planifikimin për këtë.

Në dialog me FMN, Ahmetaj tha se është edhe për faljen e borxheve për bizneset dhe automjetet por në qeveri nuk ka ende asnjë draft për amnisti dhe se falja e planifikuar nuk parashikon borxhet e 5 viteve të fundit./ TV KLAN