Qeveria është në negociata me koncesionarin e Rrugës së Kombit për të diskutuar përjashtimet e mundshme që do të bëhen për banorët e zonës dhe përdoruesit e shpeshtë. I thirrur në komision për të raportuar për këtë çështje, kreu i Financave Arben Ahmetaj tha se me urdhër të Kryeministrit është ngritur një grup i cili po zhvillon bisedime intensive. Por deputetët e mazhorancës kanë kërkuar tarifë 0 për banorët e kësaj zone dhe transportin urban në këtë aks.

“Kërkoj përjashtim nga tarifa për ata që banojnë aty dhe transportin urban. Minimalisht mund të kërkonit falje, duke nisur nga ju ministrat që s’kishit lexuar kontratën e që duhet të informonit qytetarët dhe Kuvendin. Ka vend për përjashtime dhe jemi në negociata që prej një muaji me firmën

“, tha kreu i Komisionit të Ekonomisë Erjon Braçe.

Deputetët e mazhorancës u kanë kërkuar ministrave Ahmetaj dhe Gjiknuri të nisin audit për dëmin ekonomik të shkaktuar në kohën e ndërtimit të rrugës Milot –Morinë, ku sipas dokumentave të dorëzuar para disa vitesh në prokurori, vlera nuk është 200 milionë Euro por 385 milionë Euro.

Kreu i Financave sqaroi përpara deputetëve destinacionin se ku shkojnë paratë që mblidhen nga taksa e qarkullimit. Ai tha se për vitet 2014-2017 janë investuar 1.46 miliardë Euro për ndërtim rrugësh dhe mirëmbajtje të tyre, ndërsa në total taksa e qarkullimit ka sjellë në buxhet 440 milionë Euro.

“Paguajmë për borxhin e rrugëve 110 milionë Dollarë në vit, 42 milionë USD shkojnë vetëm për borxhin e Rrugës së Kombit që na lanë ata. Nuk ka si të ulet, pse duhet të ulet?”

Buxheti i shtetit do të mbledhë në 30 vjet të kontratës 70 milionë Euro të ardhura nga 15 milionë të tjera nga tatim fitimi që do të paguajë koncesionari. Ministri i Financave tha se në kohën që qeveria Berisha nisi tenderin për dhënien me koncesion të mirëmbajtjes së kësaj rruge, tarifat varionin nga 9 në 5.3 Euro pa tvsh. Sipas përllogaritjeve të kësaj Ministrie, mirëmbajtja e këtij aksi kërkon për vit 7.3 milionë Euro pa investimeve.

Tv Klan