Nga 1 Janari i vitit 2019 të gjitha bashkitë  do të duhet të jenë gati për të nisur arkëtimin e taksës së pronës  sipas metodologjisë së re. Periudha tranzitore e lënë nga Ministria e Financave për pushtetin lokal është në limitet e saj dhe paralajmërimi i radhës erdhi nga ministri Arben Ahmetaj në mbledhjen e këshillit konsultativ.

“Data 30 Dhjetor është afati iu fundit për të kaluar nga metodologjia e vjetër tek e reja, është përgjegjësi e juaja. Negocioni agjentin e mbledhjes, nuk mund ta bëni në datën një se atëherë duhet të mblidhni të ardhurat. Ju donit të mos ishte OSHEE agjent i mbledhjes, kryeministri ka reflektuar dhe ka vendosur që OSHEE të mos jete agjenti mbledhës i taksës së banese, por ju të keni instrumentet tuaja të mbledhjes së taksës ,por platforma do jetë unike”.

Kreu i financave u kujtoi të zgjedhurve vendorë të shtyjnë me fondet e tyre  detyrimet e prapambetura, të cilat deri në fund të muajit gusht kanë arritur në vlerën e 88 milionë Dollarëve. Në të kundërt  fondet do të merren nga transferta e pakushtëzuar që qeveria u jep bashkive.

Në projektbuxhetin e vitit 2019, burimet e financimit të vetëqeverisjes vendore do të rriten me rreth 5 miliardë lekë ose 11% më shumë se sa ato të vitit 2018, të cilat do shkojnë për më shumë investime dhe përmirësimin e shërbimeve publike.

Tv Klan