Ahmad Nached 30 vjeç dhe Anna Rudnichenko 23, ishin në katin e tetë të një pallati gjatë kohës kur ra tërmeti tragjik që u mori jetën mbi 50 mijë njerëzve në Turqi e Siri vitin e kaluar. Fatmirësisht ata shpëtuan dhe sot rrëfejnë peripecitë e njëpasnjëshme që u është dashur të kalojnë. Çifti, njëri nga Siria e tjetri nga Ukraina vite më parë morën vendimin për të jetuar në Gaziantep, një qytet në jug të Turqisë.

Anna thotë se e zgjodhi këtë vend prej kuzhinës dhe faktit se gjeti punë si menaxhere në një hotel. Ajo që për të ishte një zgjedhje e vullnetshme kur iku nga Zaporizhia në 2021-in, nuk ishte njësoj për Ahmad, i cili u largua nga vendi i tij në kulmin e konflikteve, në 2012-ën. Pas protestave masive në Aleppo në atë kohë, prindërit e tij e dërguan atë dhe motrën në Gaziantep, në mënyrë që të ishin të sigurt. Që atëherë, Ahmad ka punuar me organizatat humanitare siriane në Turqi e po ashtu është marrë me muzikën elektronike, që gjithnjë ka qenë pasion i tij. Ai ka punuar si DJ në Gaziantep, duke sjellë remix-e të muzikës turke e siriane. Pikërisht në një nga këto netët ku bënte këtë punë, fati e deshi që të takonte dashurinë e jetës.
“Gjithçka mbaj mend nga ajo natë është se për një moment muzika u ndal, dhe ishte akoma herët, ora 1 e mëngjesit. Shkova te DJ shumë e acaruar dhe po i kërkoja llogari pse e ndaloi muzikën”, kujton Anna. Ndërkohë partneri i saj thotë se ishte mjaft konfuz herën e parë që e pa në sy, por kishte atë ndjesinë se kishte takuar njeriun e jetës. Me kalimin e kohës, shoqëria e tyre u shndërrua në diçka romantike. Sipas 30 vjeçarit, njohja me një njeri që vjen nga një realitet krejt tjetër e bën akoma më interesante marrëdhënien.
Ndërkohë Anna shprehet se kurrë më parë nuk kishte takuar një refugjat sirian dhe se historia e Ahmad e kishte mahnitur. Sigurisht ajo as nuk do e imagjinonte që në pak kohë, do ishte në të njëjtin pozicion si ai. Kur nisi lufta në Ukrainë, Ahmad e dinte mirë si ta qetësonte partneren e tij, sepse ai e kishte përjetuar më parë atë ndjesi. “Na u shtua një e përbashkët, që e forcoi lidhjen tonë”, shprehet ai.
Ahmad rrëfen dhe fillimet në Turqi, fenomenin e rracizmit atje. “Gjithmonë më është dukur sikur duhet ta fsheh identitetin tim, jam munduar të mos flas arabisht nëpër rrugë dhe nuk doja të dukesha si ai i keqi”, shpjegon ai.

Rreth 3 mln refugjatë sirianë ndodhen në Turqi dhe tensionet kanë qenë të pranishme gjithnjë mes tyre dhe popullsisë vendase.
Nga ana tjetër, në 2022-in, Turqia ka mikëpritur me mijëra ukrainas, të cilët në fakt ndihen më të integruar se refugjatët e tjerë. Në Gaziantep, të dy komunitetet bashkëjetojnë, por trajtohen ndryshe.
“Kur unë them që jam ukrainase, marr shumë ngrohtësi”, thotë Anna, duke shtuar: Nuk ndodh e njëjta gjë me Ahmad.
Në Shkur të vitit të kaluar, çifti kaluan shumë kohë nën një çadër prej tërmetit e më pas u zhvendosën në një hotel të Ankarasë. Ata panë shumë opsione për t’u larguar prej atje, që nga Kanadaja e deri te Gjermania, si destinacione më të përshtatshme për punë. Anna u largua e para drejt Gjermanisë.
“Fakti që nuk po shkoja direkt nga Ukraina, nuk më konsideronin refugjate. E njëjta gjë për Ahmad, kriza siriane nuk shihej më si një emergjencë në Europë.”
Në Gjermani, ajo rrëfen se përjetoi të njëjtin racizëm si partneri i saj në Gaziantep. “Vetëm atëherë e kuptova se ça kishte ndodhur me të për 10 vite me radhë.”

Pas 5 muajsh, ata vendosën të rikthehen në Turqi. Jeta i ishte kthyer normalitetit dhe zona ndihej e sigurt. Shtatorin e shkuar, gjatë një udhëtimi në Stamboll, Ahmad i propozi për martesë Anna-s dhe ata e kurorëzuan dashurinë e tyre ditën e Krishtlindjeve. Nuk e kishin imagjinuar kurrë se kjo gjë kaq e veçantë për ta do të ndodhte në Gaziantep, por ky qytet dëshmoi se paavrësisht tragjedisë, është perfekti për ta. “Nuk e dimë se çfarë na ka rezervuar e ardhmja, por të kalosh kohë me personin që ta bën botën më pak traumatike është gjëja e duhur”, përfundon i riu./tvklan.al